Në Europë, takimi mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut rus, Vladimir Putin u ndoq me vëmendje e u pasua nga një deklaratë e përbashkët e liderëve të BE-së”, që pohuan se si mirëpresin përpjekjet e republikanit për të ndaluar vrasjet në Ukrainë, për të përfunduar luftën e agresionit të Rusisë dhe për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Hapi i ardhshëm, siç theksohet aty, duhet të jenë bisedimet e mëtejshme ndërmjet Trumpit dhe Putinit, duke përfshirë këtë radhë edhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Krerët europianë shprehin gatishmërinë e tyre për të punuar me Trumpin dhe Zelenskyn për realizimin e takimit trepalësh. “ Ukraina duhet të ketë garanci të forta sigurie për të mbrojtur në mënyrë efektive sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.

Ne mirëpresim deklaratën e Presidentit Trump se SHBA-ja është e gatshme të japë garanci sigurie. Koalicioni i të Vullnetshmëve është gati të luajë një rol aktiv. Nuk duhet të vendosen kufizime mbi forcat e armatosura të Ukrainës ose në bashkëpunimin e saj me vendet e treta. Rusia nuk mund të ketë veto kundër rrugës së Ukrainës drejt BE-së dhe NATO-s”, pohohet në deklaratë.

“Do të jetë në dorë të Ukrainës të marrë vendime në territorin e saj. Kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë…Ne jemi të vendosur të bëjmë më shumë për ta mbajtur Ukrainën të fortë në mënyrë që të arrijmë fundin e luftimeve dhe një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme… Ne do të vazhdojmë të forcojmë sanksionet dhe masat më të gjera ekonomike për të ushtruar presion mbi ekonominë e luftës së Rusisë. Ukraina mund të mbështetet në solidaritetin tonë të palëkundur ndërsa punojmë drejt një paqeje që mbron interesat jetësore të sigurisë së Ukrainës dhe Evropës”, theksohet më tej në tekst. Kryediplomatja e bllokut, Kaja Kallas, e bëri edhe ajo nga ana e saj të qartë se Brukseli është i gatshëm të ndihmojë, por fuqinë për të lëvizur levat e ka Amerika.

“SHBA-ja e ka fuqinë për ta detyruar Rusinë të negociojë seriozisht. BE-ja do të punojë me Ukrainën dhe SHBA-të në mënyrë që agresioni i Rusisë të mos ketë sukses dhe që çdo paqe të jetë e qëndrueshme. Moska nuk do ta përfundojë luftën derisa të kuptojë se nuk mund të vazhdojë më kështu…”

Top Channel