
Ndihmësi i lartë i Kremlinit, Yuri Ushakov, ka njoftuar se është arritur marrëveshja për bisedime mes Donald Trump dhe Vladimir Putin.
Presidenti i SHBA-së pritet të takohet me homologun e tij rus, “në ditët në vijim”. Sipas ndihmësit të Kremlinit palët kanë filluar të punojnë për përgatitjet, sipas medias shtetërore ruse, RIA Novosti.
Trump, gjatë komenteve të së mërkurës në Shtëpinë e Bardhë, tha se bisedimet mes të dërguarit të tij Steve Witkoff dhe Putinit në Moskë nuk kishin sjellë “përparim konkret”, por mbeten “produktive”. Ai nuk pranoi të jepte një afat kohor për arritjen e një marrëveshjeje, duke shtuar se ka qenë “i zhgënjyer më parë”.
Ai gjithashtu nuk konfirmoi nëse Moska do të pranojë propozimin amerikan për bisedime trepalëshe, duke thënë se nuk i janë përgjigjur ende zyrtarisht ofertës së Witkoffit.
Takimi mes Putin dhe Witkoff shënoi vizitën e pestë të këtij të fundit në Moskë gjatë këtij viti.
Top Channel