Sherri Lapaj-Shabani/ Kush është 60-vjeçarja që mund të marrë mandatin duke lënë jashtë “dajon”?!

17/07/2025 11:50

Divorci politik mes Adriatik Lapaj dhe Endri Shabanit për mandatin e vetëm të Tiranës mori një zhvillim të ri.

Pas akuzave në distancë dhe ambicies së Zeqir Kordhonit, dajës së Endri Shabanit, për tu bërë deputet, në lojë është futur nëna e Vasil Dajkos, anëtar i kryesisë së “Shqipëria Bëhet” e Adriatik Lapaj, e cila rezulton e  para në listën e mbyllur të “Nisma Shqipëria Bëhet” dhe mund të “hakmerret” për kryetarin.

E ndërsa ka nisur numërimi mbrapsht për afatin e  shpërndarjes së mandateve për Tiranën, pasi Kolegji Zgjedhor pritet të vendosë sot për fatin e mandateve të këtij qarku, Lapaj dhe Shabani po zhvillojnë një betejë publike se kush do futet në Kuvend në shtator.

Një ditë më parë kryetari i “Shqipëria Bëhet”, u përbetua  publikisht se as Shabani dhe asnjë familjar i tij nuk do të gëzojë mandatin e Tiranës.

Sigurinë Lapaj e ka nga Ana Dajko, e para në listën e mbyllur. 60-vjeçarja me arsim të mesëm, nga Saranda te cilës i takon mandati.

Në KQZ zonja Dajko nuk ka depozituar asnjë shkresë për marrje  mandati ndërsa shkresa e vetme është ajo për heqjen dorë nga mandati, e depozituar në grup me të gjithë kandidatët e listës së koalicionit, me datë 11 maj.

Por ajo është “asi” nën mëngë i Lapajt për tu “hakmarrë” ndaj Shabanit që po kërkon t’i prishë ëndrrën për deputet.

Java e ardhshme pritet të sqaroje shume gjëra pasi Komisioneri do duhet të shpërndajë mandatet e qarkut Tiranë ndërsa Lapaj dhe Shabani kanë dhe pak kohë për të negociuar se kush do futët në Kuvend.

Top Channel