
Petrit Çakri, është njëri nga personat e arrestuar për vrasjen dhe mbytjen e Renis Dobrës pak ditë më parë në Liqenin e Shkopetit.
Çakri u arrestua sot në Lekbibaj të Tropojës, kurse Fatjon Bushgjoka në Tiranë.
Petrit Çakri ka pranuar për grupin e hetimit që kishte udhëtuar drejt fshatit Madhesh të Matit së bashku me vëllezërit Bushgjokaj pasi ata i kishin thënë se do gjenin drogë.
Duke iu referuar burimeve, gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se Çakri kishte njohur në burg njërin nga tre vëllezërit.
“Kam qenë në burg me Krisin”, mësohet të jetë shprehur i dyshuari.
Ai ka shtuar se mbaroi dënimin në prill të këtij viti dhe vazhdoi t’i mbajë kontaktet me shokun e qelisë, sot në kërkim për vrasjen e Renis Dobrës.
Duke iu referuar dëshmisë së Çakrit, theksohet se grupi i hetimit disponon të dhëna se si vëllezërit ndryshuan makina të shumta dhe se si gjatë udhëtimit u ulën në disa kafe.
“Unë isha në makinën tjetër dhe nuk më treguan, nuk di gjë se çfarë ndodhi me djalin, në lajme e pashë që ishte vrarë. Ata më thanë ik”, mësohet të ketë shpjeguar i dyshuari për rrëmbimin dhe më pas vrasjen e 23 vjeçarit.
Nga këqyrja e GPS hetuesit kanë bindjen se vrasja e të riut është kryer brenda 30 minutave prej rrëmbimit të tij.
Top Channel