“Furtuna” në Durrës! Dorëhiqen administratorët e pesë njësive administrative, largohen disa drejtorë të Bashkisë dhe të drejtorive rajonale

11/07/2025 11:56

Kryeministri Edi Rama ka dhënë sot nga Durrësi një mesazh të prerë për drejtuesit vendorë në të gjithë vendin, duke kërkuar shkarkimin e të gjithë kryetarëve të njësive administrative, me afat deri të hënën.

Ndërkohë, në Durrës, lëvizjet kanë nisur një ditë më parë. Në përputhje me kërkesat e takimit të zhvilluar tri ditë më parë në Bashkinë e Durrësit nga Rama, dorëheqjen e kanë paraqitur tashmë administratorët e pesë njësive administrative të bashkisë së Durrësit: Ishëm, Sukth, Manëz, Katund i Ri dhe Rrashbull. Bëhet fjalë për Kadri Gjylin, Edlir Cërrin, Muharrem Sulën, Eltion Prenin dhe Albert Bukaçin.

Po ashtu, janë larguar nga detyra edhe administratorët e gjashtë rajoneve të qytetit bregdetar, përkatësisht Roland Çobani, Ilir Ngresi, Myslym Hasanaj, Davide Ndoi, Jurgen Tabaku dhe Jetmir Pupla. Lajmi konfirmohet për gazetaren e Top Channel, Vali Qyrfyçi nga bashkia e Durrësit.

Ndërkaq, dorëheqjet kanë përfshirë edhe drejtorët e Bashkisë Durrës dhe ata të drejtorive rajonale, të cilët do t’i nënshtrohen një procesi vlerësimi nga komision i posaçëm i drejtuar nga kryebashkiakja Emiriana Sako. Ndër kandidaturat për drejtuesit e rinj pritet të jenë jo vetëm emra të rinj, por edhe disa prej drejtorëve të dorëhequr që mund të rikthehen. Gjithashtu burime nga PS e Durrësit bëjnë me dije se mund të përfshihen edhe kandidatë që nuk arritën të siguronin një mandat deputeti në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e 11 majit.

Top Channel