
Cristiano Ronaldo dhe familja e tij kanë mbërritur në Greqi me jahtin e tij luksoz, CG Mare, duke qëndruar për pak orë jashtë brigjeve të Rovies, për shkak se nuk kishte ambiente të përshtatshme për ta ankoruar.
Jahti 27 metra i gjatë tërhoqi vëmendjen e banorëve dhe pushuesve vendas, ndërsa ditën e sotme është parë pranë ishullit Skiathos, pa ndonjë shenjë nëse superylli portugez apo familja e tij kanë ndërmend të zbresin në tokë.
Ronaldo mbërriti në Greqi nga Mallorca, pas kritikave që mori për mungesën në funeralin e Diogo Zota-s, pasi mediat publikuan foto nga pushimet e tij në Spanjë ditën e ceremonisë mortore të ish-lojtarit të Liverpoolit.
Nuk dihet ende se sa gjatë do të qëndrojë Ronaldo në ujërat greke në këtë fazë të fundit të pushimeve të tij verore. Ai shoqërohet nga partnerja Georgina Rodriguez, e cila shpesh ndan me ndjekësit momente nga pushimet familjare në rrjetet sociale, duke vënë në pah edhe unazën masive solitaire, dhuratë nga vetë CR7.
Kjo është hera e dytë që Ronaldo zgjedh Greqinë për pushimet e tij. Vizita e parë ishte në vitin 2018, kur ai qëndroi në privatësinë dhe luksin e resortit Costa Navarino. Atëherë, vizita e tij do të kishte kaluar pa shumë vëmendje, po të mos ishte për lajmin që u përhap mbi mbërritjen e tij në aeroportin e Kalamatës. Disa ditë më pas, vetë presidenti i atëhershëm i Juventusit, Andrea Agnelli, udhëtoi drejt Greqisë për të përmbyllur transferimin më të bujshëm të verës.
Më 10 korrik 2018, në një ditë të nxehtë në Itali, Andrea Agnelli dhe partnerja e tij Denise Akanin udhëtuan nga Toskana me avion privat drejt Kalamatës. Atje i priste një helikopter që i çoi direkt në Costa Navarino, ku Ronaldo po shijonte pushimet me Georginën dhe fëmijët e tij.
Në resortin luksoz u zhvillua takimi vendimtar mes Ronaldos, menaxherit të tij Jorge Mendes, dhe drejtuesve të Juventusit. Në orën 18:30 të po asaj dite, u zyrtarizua kalimi i CR7 nga Real Madrid te “Zonja e Vjetër”, për një shumë prej 100 milionë eurosh.
Fotografia që u publikua më vonë tregonte Ronaldon dhe Agnellin duke buzëqeshur, secili me një gotë shampanjë në dorë. Përkrah tyre ishin edhe Jorge Mendes dhe miq të afërt të futbollistit – një moment historik që u cilësua si “marrëveshja e vitit”.
Top Channel