Gara “Hill Climb-Trofeu Skënderbeu 2025” në Krujë, edicionin e 10-të të garës ndërkombëtare e fiton hungarezi Laszlo Szasz

07/07/2025 20:36

Në malin e Krujës u zhvillua edicioni i 10-të i garës ndërkombëtare “Hill Climb-Trofeu Skënderbej 2025”.

Fitues i këtij edicioni u shpall veterani hungarez Laszlo Szasz, një nga pilotët më me përvojë në këtë disiplinë.

Në rrugën sfiduese të Sarisalltikut, pilotët garuan individualisht në një terren të ngushtë dhe të pjerrët që kërkon përqendrim maksimal.

“Rruga është shumë e ngushtë për makinat tona të shpejta. Nuk ka vend për gabime, por kjo është pjesë e garës”, tha fituesi.

Vendi i dytë u fitua nga kampioni shqiptar Gentian Shaqiri.

“Është shumë kënaqësi të jem këtu dhe të jap maksimumin për ekipin tim, veten time dhe motosportin shqiptar që ka nevojë të promovohet dhe të ketë më shumë pilotë dhe aderues”, tha Gentian Shaqiri.

I treti u rendit serbi Uros Brkic, me një makinë të re prototip.

“Garuesit nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia janë pilotë shumë të mirë dhe kjo është një nga garat më të vështira në Evropë për shkak të terrenit”, tha garuesi serb.

Gara u zhvillua me standarde të larta sigurie dhe ishte e ndarë në disa kategori, sipas kapacitetit të makinave.

“Gara është shpejtësi në malore, e kronometruar. Kruja, trofeu Skënderbej dhe kjo trajektore vlerësohet nga pilotët si një garë shumë sfiduese pasi ka të ndërthurura element të shpejtësisë, të aftësive pasi është me shumë kthesa dhe kalimi nga starti në finish është me një ndryshim lartësie të përshtatshëm për këtë lloj gare”, Eridon Lameborshi, sekretar i përgjithshëm i Automobile Club Albania.

Mes pjesëmarrësve ishte edhe pilotja Arjeta Rysha nga Kosova, e vetmja grua në këtë garë, e cila i bëri thirrje edhe vajzave të tjera të përfshihen në këtë sport emocionues.

“Për të arritur sukses duhet të kesh gjithmonë vetëbesim, me sakrifiku dhe për të përfaqësuar Kosovën në mënyrën më të denjë”, tha Arjeta Rysha, pilote.

 

 

Top Channel