Leka Bungo përcillet në banesën e fundit! Familjarë e kolegë e kujtojnë: Iku duke punuar

11/06/2025 20:43

Regjisori, aktori dhe skenaristi Leka Bungo u përcoll këtë të mërkurë në banesën e fundit.

Artisti u nda nga jeta pasi humbi betejën me kancerin e mushkërive. Betejën me sëmundjen e vijoi deri në çastet e fundit. Nuk pranonte të dorëzohej, tregon vajza e tij.

“Jetoi ashtu si deshi, ashtu si diti, ashtu si meritoi. Dha maksimumin dhe mori maksimumin nga jeta. Ai nuk e besoi asnjëherë se nuk do jetonte. Ai besoi se do ta mundte sëmundjen. Iku duke punuar”, tha e bija e tij, Alba Bungo.

Nuk ndali së krijuari, duke lënë pas disa vepra që nuk mundi t’i vërë në skenë.

Aktori Astrit Hasani thotë: “Kishte komedia, kishte dhe drama. Madje me një nga kolegët e mi dhe profesorin tim Viktor Zhustin, foli për një projekt të tij para se të vdiste. I kishte thënë: ‘Viktor, me siguri do të bëhem mirë dhe do të vazhdojmë’”.

Gjatë viteve të fundit, solli dhjetëra shfaqje e veçanërisht komedi, duke përcjellë mesazhe përmes satirës që godiste problemet e kohës.

Aktori Robert Kamani tha: “Leka është mjeshtër i skenës”.

“Një nga figurat e shquara të humorit shqiptar, të cilën e lëvroi me shumë mençuri, por dhe me shumë trimëri, sepse ka mbajtur një qëndrim rigoroz ndaj së padrejtës”, u shpreh aktori Bujar Kapexhiu.

“Kishte një humor shumë fine. Atë humorin anglez që thonë njerëzit, Leka e kishte vërtet anglez”, tha ndër të tjera aktorja Julia Ilirjani.

Ndërsa drejtor i Teatrit Kombëtar, Indrit Çobani u shpreh: “Nëpërmjet humorit, ai nuk rreshti kurrë së qeni një flamurtar i fjalës së lirë”.

Në karrierën e tij të gjatë, Leka Bungo kontribuoi në teatër dhe kinematografi. Shkroi skenarët e filmave të njohur si “Pabesia”, “Pas fasadës”, “Mirela”, “Tre njerëz me guna”, ndërsa spikati edhe me rolin e Bardhulës te filmi “Një djalë edhe një vajzë” në vitin 1990.

Top Channel