Festa e titullit kampion del jashtë kontrollit! Qindra mijëra njerëz pushtojnë rrugët e Napolit, mbi 120 të plagosur

24/05/2025 07:36

Napoli u kthye në një skenë feste masive gjatë natës, pasi qyteti kremtoi fitoren e Scudettos me një entuziazëm të jashtëzakonshëm.

Qindra mijëra tifozë të Napolit zbarkuan në rrugë dhe sheshe, duke e kthyer qytetin në një det flamujsh blu, këngësh, fishekzjarresh dhe brohoritjesh të zjarrta.

Nga Lagjet Spanjolle deri në Via Toledo, nga San Carlo te Galleria Umberto dhe Piazza Trieste e Trento, qyteti u pushtua nga entuziazmi, ndërsa forcat e rendit përpiqeshin të ruanin qetësinë në një atmosferë që i ngjante natës së ndërrimit të viteve.

Megjithatë, festa nuk kaloi pa incidente. Autoritetet raportuan mbi 120 të plagosur, shumica prej të cilëve morën ndihmë në pikat mjekësore të përkohshme të ngritura në qytet. Të tjerë u transportuan në spitale, por fatmirësisht askush nuk është në gjendje të rëndë. Shumica e dëmtimeve ishin pasojë e shtyrjeve, rrëzimeve apo përdorimit të mjeteve piroteknike.

Monumenti i “artiçokut” në shënjestër të tifozëve

Një nga pikat ikonike të festimeve, Fontana del Carciofo në Piazza Trieste e Trento – e njohur si vend historik për tifozët e Napolit – nuk i shpëtoi dot vandalizmit. Pavarësisht barrierave të vendosura nga bashkia për të mbrojtur monumentin, tifozët i shkatërruan ato për të ngjitur shtresat e shatërvanit, ku kënduan himnin e fitores, ndezën flakadanë dhe valëvitën flamujt.

Ky shatërvan, i lidhur ngushtë me historinë e klubit dhe figurën e ish-presidentit dhe kryebashkiakut Achille Lauro, është dëmtuar në të kaluarën dhe vazhdon të jetë një simbol emocional për tifozët.

Festa pa dhunë, por me tension

Në Piazza Bovio, vetëm pak qindra metra nga Piazza del Plebiscito, policia u detyrua të rrethojë zonën për shkak të turmës së madhe. Pavarësisht numrit të lartë të pjesëmarrësve, nuk pati episode dhune apo përleshje, por prania e fishekzjarreve, bombave tymuese dhe mjeteve piroteknike solli tension të momentit.

Një qytet në ekstazë – dhe turistët pjesë e festës

Turistët që ndodheshin në Napoli iu bashkuan festës, duke valëvitur fanella të Argjentinës dhe Boca Juniors, si homazh për Diego Maradonën – ikonën e përjetshme të qytetit. Skena të filmuar me celularë, dolli me verë dhe të qeshura të pafundme mbushën çdo cep të qytetit, duke dëshmuar edhe një herë se për Napolin, futbolli nuk është thjesht sport – është fe, është identitet.

Policia në gatishmëri

Forcat e sigurisë ishin në gatishmëri të lartë gjatë gjithë natës, me prezencë të shtuar në të gjitha pikat nevralgjike të qytetit. Falë përpjekjeve të koordinuara, situata u menaxhua pa pasoja më të rënda, pavarësisht dëmtimeve të raportuara dhe akteve sporadike vandalizmi.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta