
Chris LaCivita, një nga arkitektët e fitores së Donald Trump, i kontraktuar edhe nga Partia Demokratike për zgjedhjet e 11 majit, pretendon se ka vizituar Australinë për të këshilluar Partinë Liberale në lidhje me çështje strukturore që lidhen me liderin opozitar Peter Dutton. Mirëpo këtë pretendim Koalicioni opozitar e ka mohuar kategorikisht, sipas asaj që raporton “The Guardian”.
Në një seri bisedash të fshehta të regjistruara nga organizatat “Correctiv” dhe “Qendra për Raportimin e Klimës”, LaCivita deklaron se ka udhëtuar në Australi në fillim të prillit, në rolin e një konsulenti privat, për të ndihmuar Partinë Liberale me “çështje strukturore”.
Kjo shpjegon edhe mungesën e tij në Tiranë gjatë kësaj periudhe. Sipas LaCivita, puna nuk kishte lidhje me ndonjë rol zyrtar në administratën amerikane apo me presidentin Trump.
“Isha në Australi dy javë më parë duke ndihmuar Partinë Liberale atje, për disa nga problemet e tyre strukturore që kishin me Peter Dutton (Piter Datën),” tha ai më 16 prill, vetëm pak javë pas shpalljes së fushatës zgjedhore të Australisë.
Megjithatë, Koalicioni liberal ka mohuar çdo përfshirje të LaCivitës në fushatë. “Z. LaCivita nuk po këshillon, nuk ka këshilluar kurrë dhe nuk është i përfshirë në asnjë mënyrë me fushatën e Koalicionit. Z. Dutton nuk është takuar me të,” deklaroi një zëdhënës.
LaCivita, në një deklaratë për “Guardian Australia”, sqaroi: “Unë nuk kam punuar dhe nuk punoj për Partinë Liberale të Australisë. Unë ofroj konsulencë për një gamë të gjerë interesash biznesi… nuk e kam takuar kurrë Z. Dutton, por shpresoj ta bëj kur ai të zgjidhet kryeministër.”
Megjithëse nuk ka prova të qarta për ndonjë rol zyrtar në fushatë, kjo ngjarje ka ndezur debate për ndikimin e stilit Trump në politikën australiane.
Ndërsa zgjedhjet federale në Australi afrohen, pretendimet për ndërhyrje ose ndikim nga figura ndërkombëtare si LaCivita pritet të mbeten një temë e nxehtë në debatet politike.
Top Channel