Me argumentin e veprës penale “krime lufte kundër popullatës civile”, Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar fletarreste ndaj Millan Radojçiç dhe 19 serbëve të tjerë.

Dokumenti i publikuar nga mediat në Kosovë tregon se ish-nënkryetari i partisë kryesore të serbëve në atje, Lista Serbe – akuzohet se ka qenë pjesë e një grupi serbësh që vranë 106 civilë shqiptarë, trupat e të cilëve më pas u gjetën në një varrezë masive në Serbi.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ne kërkesë citon aktvendimin e lëshuar në 18.03.2025 për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurve për shkak të dyshimit të arsyeshëm se në periudhën kohore 1998-1999, në vendin e quajtur ‘Ura e Taliqit’ në Gjakovë pjesëtaret e forcave ushtarake dhe policore serbe të veshur me uniforma, në mesin e të cilëve edhe të pandehurit e lartpërmendur, kanë nisur të hyjnë shtëpi më shtëpi ku kanë nxjerrë me dhunë e kërcënime të gjithë personat që ishin prezentë, duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët.

Më pas, kanë ekzekutuar 106 civilë të kombësisë shqiptare , trupat e të cilëve u gjetën pas luftës në një varrezë masive në Batajnice të Serbisë”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.

Po ashtu, në dokument nënvizohet se ky grupi i personave në fjalë, nga 7 maji i vitit 1999 deri më 10 maj të po atij viti kishte arrestuar dhe burgosur më shumë se 300 civilë shqiptarë, të cilët “u mbajtën në burgje të improvizuara, me një trajtim çnjerëzor ku mungonin kushtet më elementare, ushqimi i rregullt, higjiena dhe kujdesi mjekësor”.

Radojçiç kërkohet nga autoritetet e Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.

Ai e mori përgjegjësinë për këtë sulm, ku u vra një polic i Kosovës, dhe besohet se gjendet i lirë në Serbi. Teksa Kosova e cilëson sulmin terrorist dhe e akuzon Serbinë se ka gisht në të, Beogradi mohon çdo përfshirje ndërsa vazhdon të heshtë për Radojçiçin.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta