
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, iu përgjigj kritikave për fushatën elektorale të së majtës.
Si fillim, ai kujtoi fushatën e katër viteve të kaluar, kur kërkoi ‘të merrte timonin’ dhe tha se falë kësaj, ‘u realizua reforma në drejtësi’.
“Thonë Rama bën fushatë njëherë timoni, njëherë tepsia, njëherë tepsia, hajde t’i marrim me radhë dhe t’i shohim si ka rezultuar. Kur unë ju thosha më jepni timonin, se ndryshe nuk bëhet reforma në drejtësi! Kush e bëri? Nëse nuk do të ishim forca e vetme në qeveri me këtë vendosmëri, nuk do të bëhej”.
Rama e paraqiti veten si revolucionar në të bërit fushatë, duke pretenduar se ishte i pari që zhvilloi takimet elektorale, ku qytetarët qëndrojnë ulur. Kështu, ai tha se ata që sot e kritikojnë për takime me këngë e valle, do ta kopjojnë së shpejti.
“Këta nuk dinë se çfarë është tallavaja njëherë. Këta janë përbuzës të kulturës shqiptare. Dhe nëse ne bëjmë një takim të madh me njerëzit tanë, kush na ndalon në që aty të përdorim këngë që janë nga thesari i kulturës sonë. Që kur unë merrem me fushatë, merreni analizojeni se si kanë ndryshuar edhe të tjerët. Kush i solli për herë të parë karriget në takim, që të ulen qytetarët. Do ta shikoni edhe kur të tjerët të merren me këngë dhe me valle”.
Nuk është e vërtetë që kjo është fushatë pa tema, vijoi Rama argumentet e tij, gjatë komunikimit live me qytetarët përmes rrjeteve sociale.
“Kjo është mundësia historike që kemi, fati ynë që janë përputhur yjet e Shqipërisë dhe BE-së”.
Top Channel