
Kryeministri britanik Keir Starmer nuk beson se transgjinoret janë gra, sipas zëdhënësi i tij.
Kjo deklaratë vjen pas vendimit të shumë-debatuar të Gjykatës së Lartë të Mbretërisë së Bashkuar javën e kaluar se një grua përcaktohet nga seksi i saj biologjik, sipas Aktit të Barazisë. Vendimi bën gjithashtu të qartë se një person që ka lindur mashkull, por që identifikohet si femër, nuk ka të drejtë të përdorë hapësira apo shërbime të rezervuara vetëm për femra.
I pyetur nëse ai ende beson se një transgjinore është grua, zëdhënësi i kryeministrit tha: “Jo, vendimi i Gjykatës së Lartë e ka bërë të qartë se, kur shikojmë Aktin e Barazisë, një grua është një grua biologjike”, pra e përcaktuar në bazë të biologjisë.
Zëdhënësi, siç raportohet nga BBC , shtoi se “kjo përcaktohet qartë nga vendimi i gjykatës”.
Gjithashtu i pyetur nëse do të përdorte tani përemrat për një transgjinore, zëdhënësi refuzoi të “komentonte hipotetikisht”, por këmbënguli se kryeministri “e kishte të qartë se transgjinoret duhet të trajtoheshin me të njëjtin dinjitet dhe respekt si gjithë të tjerët”.
Të hënën, Starmer mirëpriti vendimin e gjykatës, duke thënë se ai u jepte “qartësi të nevojshme” atyre që hartonin udhëzime.
Në mars 2022, kur ai ishte lider i opozitës, Starmer i tha Times se “një grua është një femër e rritur dhe për më tepër gratë trans janë gra – kjo nuk është vetëm pikëpamja ime, ky është në fakt ligji”.
Top Channel