
Punimet për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës vijojnë për të tretën herë.
“Në takim konsultativ për ta zhbllokuar situatën kemi ardhur të gjithë në që me votë anonime që të votohet raporti në komision dhe pastaj të hidhet në votim“, u shpreh drejtuesi i seancës.
120 deputetët u pajtuan që të votohet edhe një herë në komision raporti e pastaj të kthehen në seancë për të nxjerrë në votim.
Në seancën paraprake, atë të 17 prillit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nga Lëvizja Vetëvendosje, ftoi në konsultime përfaqësuesit e partive politike. Pas kësaj, ai e ndërpreu seancën për 48 orë, për shkak se tha nuk ka konsensus.
Që nga 15 prilli – kur nisi seanca konstituive – deputetët nuk kanë arritur ta kalojnë pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, argumentojnë që anëtarët e Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, është dashur të japin dorëheqje më herët, në mënyrë që të mund të betohen si deputetë të legjislaturës së re.
Por, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ekzekutivi i tij është i dorëhequr, apo në detyrë, që kur i ka përfunduar mandati i plotë katërvjeçar, më 23 mars.
Ai po ashtu ka dorëzuar një letër në Kuvend më 15 prill – në ditën e seancës konstituive – duke e njoftuar organin ligjvënës se ai dhe anëtarët e Qeverisë janë dorëhequr.
Megjithatë, PDK, LDK dhe AAK kanë argumentuar se një person nuk mund të betohet si deputet dhe të vazhdojë punën në ekzekutiv.
Këto parti, që mandatin e kaluar ishin në opozitë, kanë thënë se me ndërprerjen e seancave, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit “po blen kohë” me qëllim që t’i bëjë 61 vota për votimin e kryeparlamentarit, e më pas të Qeverisë së re të Kosovës.
Por, LVV-ja është kundërpërgjigjur, duke i akuzuar këto parti për bllokim të krijimit të institucioneve të reja.
Sipas Rregullores së Kuvendit, seanca konstituive që ndërpritet, duhet të vazhdojë brenda 48 orësh.
Top Channel