
“Shqipëria duhet të përfitojë nga situata, por edhe të negociojë më të mirën me Amerikën.”
Është kjo thirrja që presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri i drejton bizneseve, por edhe qeverisë, pas politikës së ndjekur nga administrata Trump në vendosjen e tarifave të reja, përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
Grant Van Cleve mbron politikën e re të SHBA-së dhe udhëzon Shqipërinë të mos distancohet.
“Ndodhemi në një udhëkryq interesant në ekonominë globale, jemi pjesë e një tranzicioni dhe evolucioni masiv. Shqipëria ndodhet në një pozicion shumë interesant për të përfituar nga këto tranzicione. Në lidhje me marrëdhëniet me Amerikën, me mundësinë për të zhvilluar marrëdhënie bilaterale dhe jo vetëm në nivel blloku në Bashkimin Evropian.”
Sugjerimet e Dhomës Amerikane u paraqitën në një takim me partitë politike, të cilat përballën programet e tyre ekonomike në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit. Në këtë takim munguan përfaqësues të Partisë Socialiste.
“Mungesa e fuqisë punëtore është shqetësimi ynë në 3 vitet e fundit. Vijojmë të mbështesim zhvillimin e kapitalit human. Ndërsa do t’i mëshojmë dialogut të mëtejshëm të institucioneve me bizneset për problematikat aktuale,” shprehet drejtori ekzekutiv i AMCHAM, Nertian Mullaj.
Dhoma Amerikane e Tregtisë i ka ndërtuar propozimet e saj mbi 7 shtylla kryesore, përfshirë këtu stabilitetin në taksa, mbështetjen e luftës kundër korrupsionit, si dhe një ligj të ri për investimet e huaja.
Top Channel