Një ditë pas vendimit të Bordit të Transparencës për të ulur çmimin e pakicës së naftës dhe benzinës përkatësisht në 203 dhe 175 lekë për litër (nga 214 dhe 199 lekë që ishin më parë) dhe ato të shumicës në 191 dhe 163 lekë për litër, 5 importuesit më të mëdhenj të naftës kanë dalë kundër këtij vendimi, sepse sipas tyre, ky çmim i lëndës djegëse nuk mbulon kostot e prodhimit.
Sipas tregtarëve shqiptarë të naftës, ata nuk mund të shesin naftë nën kosto, pasi do të shkaktonte humbje të mëdha për bizneset e tyre; për këtë arsye kërkojnë nga Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të ribëjnë analizën e shifrave të blerjes së naftës.
Në të kundërt, shitësit e naftës paralajmërojnë se do të marrin masa deri në: Pezullimin dhe kufizimin e shitjes me shumicë të naftës dhe benzinës; frenimin dhe kufizimin e procesit të zhdoganimit të karburanteve në Porto Romano, deri në një moment të dytë.
Të dhënat e fundit të bursës në datën 26 mars tregojnë se nafta ka kushtuar 1402.5 dollarë për ton, me një rritje prej 134.75 dollarë për ton, si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme; ndërsa benzina ka kushtuar 1037.25 dollarë për ton, me një rritje prej 49.25 dollarë për ton. Referuar të dhënave në bursë, importuesit shqiptarë të hidrokarbureve theksojnë se çmimi i shitjes me pakicë, me një marzh bruto prej 3 lekë/litër, sot duhet të jetë: nafta me 224.21 lekë për litër dhe benzina me 189.76 lekë për litër.
Pra, importuesit kërkojnë nga qeveria që çmimi tavan i tregtimit të naftës me pakicë të jetë 21,21 lekë për litër më i lartë se ai i vendosur nga Bordi i Transparencës, konkretisht 203 lekë/litër.
Importuesit e argumentojnë këtë vendim me pretendimin se çmimet me pakicë që ka vendosur Bordi i Transparencës janë shumë herë më të ulëta se çmimi i naftës në bursë. Sipas importuesve, përllogaritja e Bordit të Transparencës është bazuar në formulën e përdorur në vitin 2022, e cila nuk reflekton kushtet aktuale të tregut dhe, në veçanti, kontratat në fuqi që aplikojnë me furnitorët.
Si rrjedhojë, çmimet e përcaktuara nuk pasqyrojnë kostot reale që aktualisht formojnë çmimin e një litri nafte dhe benzine për tregtimin me shumicë. Importuesit kanë kërkuar në shkresat e tyre që të mblidhet sa më shpejt Bordi i Transparencës dhe të rishikojë metodologjinë e përllogaritjes së çmimit.
Top Channel