
24 anëtarë të dyshuar të grupit Camorra, mafia famëkeqe napolitane, janë ndaluar nga policia italiane nën akuzat për trafik droge, armëmbajtje dhe krijimin e një skeme të paligjshme parkimi.
Sipas hetuesve, disa prej të arrestuarve ishin të lidhur me familje të njohura të Camorra-s që vepronin në rrethet Fuorigrotta dhe Chiaia të Napolit.
Hetuesit thanë se klanet Troncone dhe Frizziero, përveç përfshirjes në tregtinë e drogës dhe kontrabandën e cigareve, ishin pas një skeme parkimi në të cilën shoferët ndiheshin të detyruar të paguanin tarifa shtesë në mënyrë që të siguroheshin që automjetet e tyre të mbeteshin të paprekura kur parkoheshin.
Praktika është e përhapur në Italinë jugore dhe, sipas një raporti nga grupimi politik i Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë, ka rreth 2,400 parkingje të paligjshme që operojnë vetëm në Napoli. Shumë prej tyre mendohet se janë të lidhur me klanet Camorra dhe tregtia e paligjshme dyshohet se gjeneron më shumë se 100 milion € në vit.
Në zona të tjera, shoqëruesit e paautorizuar detyrohen të paguajnë para, në mënyrë që të lejohen të veprojnë brenda territoreve të kontrolluara nga mafia, raporton The Guardian.
“Parkimet e paligjshme kërkojnë në thelb një tarifë mbrojtjeje, një picë nga shoferët”, tha Francesco Emilio Borrelli, një deputet i Aleancës së Gjelbërve dhe të Majtë.
“Nëse refuzoni, kërcënoheni, makina juaj mund të dëmtohet ose, edhe më keq, mund të sulmoheni fizikisht”, shtoi Borrelli, që pretendoi se në një rast, ka rënë vetë viktimë e një sulmi të tillë.
Deputeti kërkoi ndryshimin e ligjit, në mënyrë që “të vepruarit si kujdestar i paautorizuar i parkimit të konsiderohet vepër penale”.
Top Channel