
Kryedemokrati Sali Berisha prezantoi programin e Partisë Demokrate, për të cilin u deshën tre vite punë, sikurse u shpreh në Kuvendin Kombëtar që u mbajt sot në Pallatin e Kongreseve.
Sipas tij, programi bazohet nga programet e vendeve që kanë dalë nga luftrat apo fatkeqësitë, sepse qeverisjen e Edi Ramës e cilëson pushtim, ndërsa theksoi se në krye të PD-së nuk u rikthye për interesa personale, por kombëtare.
“Janë dashur tre vite të plota për programin. Kur pranova të rikthehesha, mora një vendim, nuk rikthehesha për pushtet, as pasuri, as luks. Këtë projekt e bëmë duke e ditur situatën e rrezikshme në të cilën gjendet Shqipëria. Shqipëria sot po vuan pasojat e një pushtimi nga vjedhja që është bërë këtë 12 vjet. Jemi në kushtet e një pabarazie të madhe ekonomike. Arsimi është rrënuar, shëndetësia është shkatërruar, çmimet e larta dhe korrupsioni e kanë bërë çmimin e jetës të pamundur në Shqipërisë. Prandaj PD gërmoi në histori për të gjetur çfarë programesh kanë përdorur vendet që janë gjetur në rrënoja pas luftrave e fatkeqësive, siç gjendet sot Shqipëria nga pushteti i narkodiktaturës. Ky projekt do të ringrejë Shqipërinë nga pasojat që solli Rilindja 12 vite, por këtu nuk do bie dakord me ata që thonë se politika është arti i të mundshmes, ne me politikën tonë kemi realizuar të pamundurën”.
Top Channel