
Koha me diell dhe perëndimet nuk ishin e vetmja gjë që më bëri përshtypje në udhëtimin tim në këtë pikë të nxehtë të Ballkanit”, shkruan Sydney Evans në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express” për vendin tonë.
Vitet e fundit, Shqipëria është shndërruar në destinacion popullor për turistët britanikë, e njohur për plazhet bruz dhe peizazhin e thyer që është perfekt për ata që kërkojnë të eksplorojnë në këmbë. Në kërkim të pushimeve relaksuese, me diell të garantuar, unë dhe disa miq vendosëm të rezervonim një udhëtim në Durrës verën e kaluar.
Duke mos qenë kurrë më parë në Shqipëri, mezi prisja të zbuloja vetë pse ky vend i vogël europian ishte një destinacion kaq popullor për pushuesit e huaj. Zgjodhëm Durrësin pasi na kishin mbetur vetëm disa ditë dhe qyteti i bukur bregdetar ndodhet vetëm 45 minuta me makinë nga kryeqyteti Tiranë, ku është aeroporti kryesor ndërkombëtar i vendit.
Ne qëndruam në një hotel të vogël, të bukur, vetëm disa minuta në këmbë nga plazhi dhe temperaturat shënonin nën 28 gradë Celsius gjatë gjithë kohës që ishim atje. Sigurisht që nuk do ta përshkruaja plazhin si të qetë, pasi ne e vizituam atë gjatë muajit korrik, i cili konsiderohet kulmi i sezonit turistik në Shqipëri.
Megjithatë, ishte tepër e lehtë për të gjetur hapësirë të mjaftueshme në plazh dhe për të rezervuar shezlongë që ishin të lira, duke kaluar ditën në bregdet derisa dielli të zhdukej në perëndimet më të pabesueshme, çdo natë. Ajo që më la më shumë përshtypje ishte mikpritja dhe cilësia e ushqimit. Pjata me sardele të sapokapura, spageti dhe rizoto, pica krokante dhe sallata greke të mbushura me perime të freskëta ishin vaktet më të shijshme që kemi provuar.
E vendosur në Gadishullin Ballkanik, fqinje me Greqinë dhe Malin e Zi, Shqipëria ka lidhje të forta me Italinë dhe kjo ishte padyshim e pranishme në ushqimin dhe mikpritjen miqësore që përjetuam. Ndërsa Durrësi është i mrekullueshëm për disa ditë buzë plazhit, me shumë hotele dhe restorante aty pranë dhe me vendndodhje të përshtatshme falë afërsisë me Tiranën, plazhet më në jug janë padyshim më piktoreske. Patjetër që do të kthehem në Shqipëri, por herën tjetër do t’i jap vetes më shumë kohë për të eksploruar këtë rajon të vendit dhe plazhet e tij spektakolare, shkruan Evans./ TAR
Top Channel