Lufta në Gaza/ 9 viktima dhe disa të plagosur, Hamas: Ushtria izraelite po vret vullnetarë bamirësie

16/03/2025 18:31

Të paktën nëntë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur në një sulm izraelit në Beit Lahia, në veri të Gazës, tha ministria e shëndetësisë, duke e bërë atë incidentin më vdekjeprurës që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në janar.

Një organizatë bamirëse me bazë në Britani tha se pothuajse të gjitha viktimat ishin vullnetarë bamirësie. Hamasi e quajti sulmin një “shkelje të hapur” të armëpushimit.

Ushtria izraelite tha se sulmi kishte vrarë gjashtë “terroristë” që po operonin në zonë dhe më pas u përpoqën të merrnin një dron. Midis tyre ishte një person i përfshirë në sulmin e 7 tetorit të udhëhequr nga Hamas, sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF).

Një ekip prej tetë punëtorësh bamirësie u vranë nga sulmi, sipas OJQ-së Al-Khair Foundation të regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar. Në një deklaratë në Facebook, themeluesi i bamirësisë Qasim Rashid Ahmad tha se ishte një “ditë shumë e trishtë” për fondacionin dhe për punonjësit e saj në mbarë botën.

“Sot fatkeqësisht një tjetër sulm ka ndodhur ndaj punonjësve gjatë dërgimit të ndihmave. Disa nga viktimat ishin anëtarë të ekipit tonë, duke përfshirë vullnetarë, disa prej tyre ishin kameramanë… dhe disa prej tyre ishin gazetarë”, shkroi ai.

Ai shtoi se punonjësit e ndihmës po kryenin punë humanitare kur u sulmuan, duke mohuar pretendimin se ishin të përfshirë në akte terroriste.

Hamasi gjithashtu akuzoi ushtrinë izraelite në një deklaratë për kryerjen e “një masakre të tmerrshme në Beit Lahia, duke marrë jetën e nëntë personave që punonin për bamirësi të angazhuar në përpjekjet humanitare në strehimore dhe qendra zhvendosjeje”.

“Shënjestrimi i civilëve të paarmatosur, veçanërisht atyre që ofrojnë ndihmë humanitare për individët e zhvendosur dhe të pastrehë, përbën një shkelje të hapur të ligjit ndërkombëtar dhe humanitar”, shtoi Ismail Thawabta, Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës mediatike të Hamasit.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta