
Kryetari i PD-së, Sali Berisha vizitoi qytetin e Elbasanit për festën e Ditës së Verës.
Kryedemokrati u ndal te largimi i Dashnor Sulës nga PD dhe bashkimin me partinë e Adriatik Lapajt, “Shqipëria Bëhet”.
“Sa i përket deputetit që thatë ju, ai bëri zgjedhjen e tij, midis betejës në sheshin e burrave zgjodhi Tikun dhe shkoi në punën e vet, nuk kam çfarë të them bëri gabim por prapë ka kohë ta mendojë.”, u shpreh ai.
Më tej Berisha bëri premtime për rritje pagash dhe pensionesh.
“Qytetarëve të Elbasanit banorëve të këtij rrethi, mbarë shqiptarëve, iu uroj nga zemra këtë festë më të lashtën, më të bukurën e festave, festën e ndërrimit të natyrës, festën e shpresës, e bukurisë, e luleve. Dita e Verës e gjen Elbasanin, i gjen shqiptarët më optimistë, më besimplotë se kurrë në ndryshimin e madh të 11 majit. Kjo ditë frymëzon çdo shqiptar që me 11 maj të ndahet nga ky regjim që i varfëroi ata gjer në palcë. Dhe unë sot nga Elbasani dua t’u premtoj shqiptarëve kudo që janë se tre muajt e parë, ajo që e kemi quajtur paketë e dhembshurisë, do të nxjerrë çdo shqiptar nga varfëria ekstreme,ata që janë. Do të thotë se do jenë një minimum jetik prej 200 eurosh. Nuk do ketë pensionist që do marrë nën 200 euro, pavarësisht sa e ka sot pensionin dhe pavarësisht nëse ka apo jo pension dhe pavarësisht nëse e ka të plotë apo të pjesshëm.
Pra do bëhet një shpërndarje e re e të ardhurave buxhetore. Do ketë një rritje 20 përqind të pensioneve.
Do ketë një rrogë minimale 25 përqind më të lartë se kjo që është sot, pra do jetë jo më pak se 500 euro.
Do ketë një rrogë mesatare 1200 euro dhe unë zotohem para qytetarëve të Elbasanit dhe Shqipërisë dhe dua të rikujtoj këtu se për rastësi, premtimet e mia për dyfishimet e rrogave i kam bërë në këtë qytet dhe e kam mbajtur fjalën. Përsëri unë e mbaj fjalën, rrogat do dyfishohen. Dhe nuk do ndalim vrapin tonë gjersa të bëhemi përsëri njerëzit më të paguar në rajon. Kur ne të bëhemi njerëzit më të paguar në rajon do të thotë se ne gëzojmë të mirat dhe pasuritë që gëzon ky vend dhe i shpërndajmë ato me zemër në dorë, i shpërndajmë me drejtësi, jo duke krijuar një hendek të tmerrshëm midis rrogëlartëve dhe rrogëulëtëve.
Ky hendek është në Shqipëri 2 deri në 2 herë e gjysmë më i thellë se në çdo vend tjetër. Në qoftë se në SHBA, presidenti i vendit merr një rrogë sa 5 rroga mesatare të qytetarëve të atij vendi, në Shqipëri presidenti merr një rrogë sa 10 rroga mesatare të këtij vendi. Ndaj dhe do rrisim rrogat e ulëta dhe rrogat mesatare dhe do arrijmë të ndahemi nga kjo e keqe që po e zbraz Shqipërinë. Shqipërinë po e zbraz varfëria, ndërkohë që nuk ka një vend tjetër më të pasur në pasuri natyrore. Kështu që ftoj ta vazhdojmë së bashku këtë betejë.”, tha Berisha.
Top Channel