
Panairi më i madh i turizmit në botë ITB u mbajt prej datës 3 deri në 6 Mars në Berlin, në Gjermani me pjesëmarrjen e disa mijëra kompanive turistike dhe të marketingut nga e gjithë bota.
Këtë vit Shqipëria mbante rolin e vendit pritës të eventit një ngjarje që me shumë gjasa sipas ekspertëve ka rritur shanset e njohjes ndërkombëtare të vendit por edhe mundësitë për shkëmbime në një shkallë të gjerë.
Stenda e Shqipërisë në hollin 3 të panairit ishte një hapësirë dinamike ku përveç ofertës turistike të rreth 100 operatorëve shqiptarë u realizuan performanca kulturore, muzikë tradicionale, degustime të ushqimeve dhe pijeve si dhe u mbajtën shumë sesione prezantuese të ofertave nga Shqipëria, inovacionit, teknologjisë dhe risive për 2025.
Ekspertët dhe operatorët në përmbyllje të eventit besojnë se sfida nuk mbeten më numrat e vizitorëve por tërheqja e profileve të qarta të klientëve.
Për herë të parë Shqipëria ju qas një eventi kaq të madh ndërkombëtar me më shumë oferta për aventura, eksplorimin e thellësisë së vendit dhe përjetimin e eksperiencave.
ITB Berlin u ndoq nga rreth 24 mijë vizitorë të biznesit dhe operatorët shqiptarë kanë realizuar rreth 6000 takime dhe disa qindra marrëveshje të përkthyer jo thjesht në numra klientësh por në një ofertë mjaft diverse këtë vit.
Megjithatë sipas operatorëve shqiptarë dhe të huaj që shesin Shqipërinë si destinacion sfidë mbetet cilësia e shërbimeve dhe mbiturizmi në disa zona ende autentike krahas mungesave në sektorin e akomodimit i cili ka nevojë për zgjerim dhe investime.
Përmirësime gjithashtu kërkohen edhe në infrastrukturë dhe shërbime publike, lehtësitë me pagesat online dhe sisteme të automatizuara rezervimesh dhe menaxhimi të të dhënave.
Kualifikimi i punonjësve të turizmit dhe kontratat gjithëvjetore për ta pritet të jetë një tjetër vështirësi e 5-vjeçarit të ardhshëm ndërsa Shqipëria rrit ofertën e saj turistike në tregun ndërkombëtar.
Top Channel