Përmirësohet gjendja e Papës, mjekët: Nuk ka pasur më kriza të frymëmarrjes astmatike

24/02/2025 22:16

Sipas buletinit të fundit të publikuar nga zyra e shtypit e Selisë së Shenjtë, Papa Françesku po vazhdon të përjetojë një përmirësim të lehtë në shëndetin e tij.

Atë e ka prekur pneumonia dhe, aktualisht, ndodhet në ditën e njëmbëdhjetë të shtrimit në një nga spitalet e Romës.

Mjekët raportojnë se “gjatë pasdite së të hënës nuk pati episode të krizave të frymëmarrjes astmatike”, dhe disa nga testet laboratorike kanë treguar përmirësim.

Në njoftim thuhet se Papa vazhdon të ndjekë terapitë e nevojshme dhe është në humor të mirë, ndërsa ushqimi i tij është normal.

Pavarësisht përmirësimeve, mjekët, duke pasur parasysh kompleksitetin e gjendjes klinike, ende mbajnë një qëndrim të rezervuar për prognozën e tij, duke kërkuar më shumë kohë për të vlerësuar zhvillimin e situatës.

Në përpjekje për të ofruar ngushëllim dhe mbështetje, Papa Françesku ka thirrur famullitarin e famullisë së Gazës për të shprehur afërsinë e tij atërore.

Sipas zyrës së shtypit të Vatikanit, Papa gjithashtu falënderoi të gjithë besimtarët që janë mbledhur këto ditë për të lutur për shëndetin e tij, duke u shprehur mirënjohjen e tij të thellë për dashurinë dhe lutjet e tyre.

Për t’i dhënë një mbështetje të mëtejshme shpirtërore Papës, një maratonë lutjesh është organizuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA