
Një grup kriminal aktiv në shitjen e armëve në Tiranë, Fushë Krujë dhe Thumanë është goditur sot nga policia.
Operacioni i koduar “Heliks” çoi në pranga dy anëtarë të këtij grupi Fatjon Kodra 18 vjeç dhe Elton Kaci 49 vjeç. Në kërkim janë shpallur janë shpallur dy anëtarët e tjerë të grupit Florjan Aliu dhe Enea Zira, të gjithë me origjinë nga Laçi.
Për të dokumentuar veprimtarinë kriminale policia simuloi blerjen e një arme. Një kallashnikov tregtohej prej tyre 1 mijë deri në 1500 euro, ndërsa pistoletat nga 1500 deri në 2 mijë euro. Gjatë ndërhyrjes policore u sekuestruan 3 armë zjarri kallashnikov, 2 pistoleta dhe municion luftarak të cilat do të shiteshin në treg. Këto armë të vjetra, pritet të dërgohen për ekzaminim për të mësuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Puna hetimore vijon për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të grupit dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
Top Channel