
“S’mund të survejohen partitë politike në fushatë zgjedhore”, u shpreh kryeministri Edi Rama një ditë pasi SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme njoftuan ngritjen e seksioneve të posaçme “për hetimin e veprave penale që prekin zgjedhjet e lira”.
“Nuk mund të kthehemi në kohërat e errëta që kush merret në politikë të survejohet”, theksoi kryeministri gjatë komunikimit live me qytetarët përmes “Facebook-ut” këtë mëngjes. Ai kërkoi të ndalen kontrollet e tilla në terren.
“Fatkeqësia është se gabimet e tyre nuk janë si gabimet e ndërmarrjes së gjelbërimit, por kushtojnë jetë njerëzish, trauma dhe plagë psikologjike nganjëherë të pariparueshme por nuk ka alternativë tjetër përveç një drejtësie të pavarur profesionale dhe që respekton integritetin, liritë e të drejtat e njeriut. Të pavarurën e kemi para syve, profesionalen duhet të luftojmë së bashku ta konsolidojmë se ka shumë gjëra pozitive por dhe negative.
Është betejë për t’u bërë si aleat e partnerë të drejtësisë, pushtete të ndara por të vendosur sepse nuk mund të cenohen të drejtat e pushtetit ekzekutiv. Nuk mund të cenohen të drejtat për të marrë vendime, të trysnohet administrata e shtetit apo të paragjykohen. Dhe nuk mund dot të survejohen partitë politike në një proces elektoral. Uroj të jetë lajthitje e momentit dhe menjëherë të ndalet çdo lloj survejimi në territor. Nuk mund të kthehemi në kohërat e errëta që kush merret në politikë të survejohet. Nuk duhet të interferojmë tek njëri tjetri“, tha Rama.
Dy prokuroritë publikuan planet për të parandaluar tjetërsimin e votës, që numërojnë dy strategji, dy memorandume dhe tre takime të niveleve të larta për të garantuar se të gjithë do jenë proaktivë për të garantuar votën e lirë të qytetarëve për këto zgjedhje.
E para ishte publikimi i strategjisë së SPAK që thotë se do zbresë në terren prokurorët të cilët kanë kompetencë të hetojnë korrupsionin në zgjedhje dhe krimet zgjedhore që kryhen nga krimi i organizuar. Më pas kryeprokurori i posaçëm njoftoi hapjen e qendrës 24 orëshe të monitorimit të procesit zgjedhor.
Ndërsa, Olsian Çela, si prokuror i përgjithshëm me kompetencë në 13 prokurori, premtoi një protokoll koordinimi ndër institucional. Marrëveshjet për ta bërë punën u firmosën edhe me drejtorin e përgjithshëm të policisë, ku sërish premtohet se të gjithë do jenë në një frekuencë për të hetuar
Top Channel