
Papa Françesku do të vazhdojë të qëndrojë në spital deri sa gjendja e tij shëndetësore të jetë e mirë, sipas deklaratës së bërë me dije nga Vatikani.
Papa, 88 vjeç, u shtrua në spitalin Gemelli në Romë të premten me përkeqësim të bronkitit dhe u diagnostikua e u trajtua për një infeksion të traktit respirator.
“Rezultatet e testeve të kryera sot kanë demonstruar një infeksion polimikrobial të traktit respirator, i cili ka çuar në një modifikim të mëtejshëm të terapisë”, tha Vatikani në një deklaratë.
Një infeksion polimikrobik është një infeksion i shkaktuar nga dy ose më shumë mikroorganizma dhe mund të shkaktohet nga bakteret, viruset ose kërpudhat, shkruan Guardian.
“Të gjitha testet e kryera deri më sot janë tregues të një tabloje komplekse klinike që kërkon një qëndrim të përshtatshëm në spital”, thuhet në deklaratë.
“Ai na thirri të premten dhe të shtunën, ai ishte në humor të mirë,” tha një menaxher i kishës për kanalin e lajmeve TgCom24. “Zëri i tij ishte pak i lodhur, por ai donte të dinte se si ishim. Të dielën, megjithatë, ai ishte duke pushuar dhe ne e dinim që ai nuk do të telefononte.”
Papa, i cili ka vuajtur nga problemet me shëndetin vitet e fundit, u shtrua gjithashtu në spital në mars 2023 me bronkit akut. Pasi doli nga spitali, ai tha: “Jam ende gjallë”.
Françeskut iu hoq një pjesë e mushkërisë në fillim të 20-tave ndërsa trajnohej për të qenë prift në vendlindjen e tij, Argjentinë. Ai gjithashtu iu nënshtrua një operacioni në zorrën e trashë në qershor 2021.
Top Channel