A është i dënuar më parë? SPAK kërkoi informacion për gjendjen gjyqësore të Erion Veliajt, reagon Drejtoria e Burgjeve

14/02/2025 17:29

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka reaguar për gjendjen gjyqësore “i dënuar” të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

Në njoftim SPAK sqaron se Veliaj ka tre vendime pafajësie, por në momentin e gjenerimit të certifikatës elektronike del me shënimin “i dënuar”.

SPAK thotë se i ka kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Pasditen e sotme Drejtoria e Burgjeve i ka kthyer përgjigje, ku deklaron se pas verifikimeve në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore, ai rezulton i padënuar dhe ndaj tij janë dhënë tre vendime pafajësie.

“Në përgjigje të interesimit të mediave, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën me dije se, në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me shkresën nr. 2215/prot., datë 12.02.2025, ka përcjellë vërtetimin e gjendjes gjyqësore për shtetasin E. V., i biri i L. dhe Sh., lindur më 17.12.1979.

Pas verifikimeve në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore, ai rezulton i padënuar dhe ndaj tij janë dhënë tre vendime pafajësie.

Sqarojmë se, në rastet kur kërkohet vërtetimi me historik, përfshihen edhe të dhënat mbi vendimet e mëparshme, përfshirë pafajësitë apo vendimet e rehabilitimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Pra, çdo herë kur printohet Vërtetimi i Gjendjes Gjyqësore me shënime, del dhe statusi i dënuar si në këtë rast”, thuhet në deklaratën e Drejtorisë së burgjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA