![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/0-2025-02-11T175511.300-800x450.jpg)
Kryetari i PD-së, Sali Berisha komentoi këtë të martë përse njëri prej dy drejtuesve të fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump pranoi të jetë konsulent i opozitës për 11 majin.
Mes qindrave kërkesave nga shtete të ndryshme të botë, ai zgjodhi PD në Shqipëri, theksoi Berisha, ndërsa shtoi se janë disa të vërteta që Chris LaCivita pranoi, mes tyre tentativat për ta burgosur Berishën, si në situatën e presidentit aktual të SHBA, Trump nga administrata e Joe Biden.
Berisha: Në Tiranë zbarkoi bashkëkryetari i menaxhimit të fushatës më të rëndësishme elektorale pas Luftës së Dytë Botërore të SHBA dhe planetit. Ishte bashkëarkitekti i asaj fushate që përballoi makineritë më gjigante të miliarda e miliarda dollarëve, të medieve kryesore të SHBA dhe të botës, të sondazheve të manipuluara në SHBA dhe në botë, dhe siguroi rikthimin më të rëndësishëm, më të fuqishëm, më të jashtëzakonshëm me votën e lirë në tërë historinë e njerëzimit, ishte zoti Chris LaCivita.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë se Chris LaCivita në kërkesën planetare që ekziston, në qindra kërkesa nga i gjithë planeti, që ekzistojnë për të bashkëpunuar me të, ai fisnikërisht zgjodhi Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Berisha: Ju jeni dëshmitarë të ngjashmërive, të sjelljes së administratës së SHBA që shkoi dhe Xhorxh Sorosit ndaj presidentit Donald Trump dhe sjelljes së tyre ndaj Sali Berishës.
Ju jeni dëshmitarë të vendimeve për të mos regjistruar emrin e tij në listë dhe mosregjistrimin e Sali Berishës në listat e zgjedhësve.
Ju jeni dëshmitarë të përpjekjeve për eliminimin fizik të Donald Trump, por të njëjta edhe për Sali Berishën në prag të aktivitetit.
Ju jeni dëshmitarë të përpjekjeve për burgosjen e tij dhe burgosjen e Sali Berishës po nga falangat e Xhorxh Sorosit dhe kukulla e tij Edi Rama në Shqipëri.
Këto janë të vërteta të cilat e sollën në Shqipëri këtë kryetarin e komitetit kombëtar të Partisë Republikane, Chris LaCivita. Mesazhet e tij janë shumë të thella dhe duhet të kuptohen nga çdo shqiptar.
Presidenti Donald Trump u tha amerikanëve se më i rrezikshëm nga të gjithë për SHBA është armiku i brendshëm. Dhe kjo është e vërtetë e madhe.
Nuk ka vend tjetër në botë që të ketë fuqinë, teknologjinë, forcën e pakufishme të SHBA. E megjithatë, në këtë vend, nga ekstremi i majtë, nga marksistët dhe post marksistët sorosianë, demokracia u kërcënua njëlloj si në një vend të botës së tretë.
Në qoftë se përdorën gjykatat për të përjashtuar nga procesi zgjedhor kandidatin kryesor të partisë kryesore.
Në qoftë se aplikohen gjoba gjysmë miliardë dollarë. Në qoftë se lëshohen urdhra për t’i mbyllur gojën, këto nuk ndodhin kurrë në një demokraci pa probleme.
Në qoftë se promovohet censura, një gjë do u them, çdo hap drejt censurës është hap drejt diktaturës. Ndaj dhe Donald Trump me shumë të drejtë tha, se armiku më i rrezikshëm për Amerikën është armiku i brendshëm.
Në këtë kontekst duhet të kuptojmë qartë dimensionin e deklaratës së kryetarit të komitetit kombëtar republikan, Chris LaCivita, të cilin Rama e quajti punonjës i Donald Trump, ka domethënien më të madhe politike.
Është një thirrje, është një apel për shqiptarët të çlirohemi me ndihmën e SHBA, nga Xhorxh Sorosi, ideologjia dhe i gjithë ndikimi që de facto u krijua në Shqipëri republikën e Xhorxh Sorosit.
Qytetari i thjeshtë shqiptar e ka të vështirë të besoj që Edi Rama solli në parlament, bazuar në doktrinën e Sorosit, ligjin për krijimin e fermave të grave që të lindin fëmijët e askujt se duhet të krijoheshin fëmije më prindër 1 dhe 2 dhe pa prindër fare për të shuar familjen dhe vlerat hyjnore njerëzore të saj.
E kanë të vështirë se në Tiranë, njëlloj si në Nju Jork filluan të numerotohen prindërit që në kopsht dhe mijëra familje amerikane u shpërngulën nga Nju Jorku për në Teksas ku nuk lejoheshin praktika të tilla antifamiljare.
Pra, miqtë tanë e kanë të qartë se çfarë ndodhi. E kanë të qartë se kush është Leticia Jones, Alex Brag të Shqipërisë që angazhohen për shkatërrimin e pluralizmit në një akt kriminal antikushtetues të paimagjinueshëm.
Ndaj dhe shpreh mirënjohjen më të madhe kryetarit të komitetit kombëtar të Partisë Republikane për vendimin e tij për të shprehur demokratët dhe konservatorët në Shqipëri, në shpëtimin e Shqipërisë nga stihia e ekstremit të majtë dhe Xhorxh Sorosit në këtë vend.
Top Channel