![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/HarryTrump_hd-800x450.jpg)
Ministri britanik Andrew Gwynne është shkarkuar nga detyra pas mesazheve të rënda përçmuese dhe fyese që kishte nisur ndaj qytetarëve që nuk votuan Laburistët në zgjedhje.
Deputeti i Partisë Laburiste, Andrew Gwynne, është shkarkuar pasi dolën në dritë një sërë komentesh fyese dhe përçmuese për disa qytetarë dhe politikanë.
Në një nga komentet e tij, Gwynne tha se shpresonte që një pensioniste që nuk votoi për laburistët të vdiste para raundit tjetër të zgjedhjeve. Ai i bëri komentet në një grup në WhatsApp me figurat e Partisë Laburiste në zonën e tij.
Në një deklaratë të shtunën mbrëma, ai tha se i vjen shumë keq për komentet e tija dhe kërkoi falje për çdo ofendim të shkaktuar. Sipas raportimeve, Gwynne nw vitin 2021 bëri shaka të turpshme edhe për Angela Rayner, zëvendëskryeministren britanike.
Ai gjithashtu bëri komente tallëse për Diane Abbott, deputeten veterane të Laburistëve, në grupin në WhatsApp.
Gwynne, i cili u bë deputet në vitin 2005, është shkarkuar nga detyra e tij ministrore dhe është pezulluar nga Partia Laburiste në pritje të një hetimi.
Ai është ministri i tretë që jep dorëheqjen në muajt e fundit. Në fund të nëntorit, Louise Haigh, sekretarja e transportit në atë kohë, dha dorëheqjen pasi i’u zbulua një mashtrim. Në janar, ministrja kundër korrupsionit Tulip Siddiq dha dorëheqjen pas akuzave për sjellje të pahijshme, të cilat ajo i ka mohuar vazhdimisht.
Top Channel