Policia gjermane ka nisur një hetim penal pasi një degë lokale e partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, e cila njihet për linjën e ashpër të qëndrimit kundër emigracionit, raportohet të ketë shpërndarë rreth 30.000 bileta avioni false në qytetin jugperëndimor të Karlsruhes për të promovuar “deportimin” e njerëzve në një vend “të origjinës së sigurt”.
Broshura të krijuara në mënyrë të tillë që të ngjasojnë me kartat klasike të imbarkimit të linjave ajrore, reklamojnë një fluturim me një drejtim nga “Gjermania” për një pasagjer me emrin “emigrant ilegal” më 23 shkurt, që është dhe data kur në vend mbahen zgjedhjet parlamentare.
Dhe duket se AfD nuk e mohon ekzistencën e fletëpalosjeve polemizuese: Një zëdhënës i saj në Karlsruhe konfirmoi se nisma është pjesë e fushatës zgjedhore lokale të partisë, ndërsa shtoi se broshurat po shpërndaheshin për të gjithë votuesit me të drejtë vote.
Zyrtarët e Partisë E Majta deklaruan se do të ngrenë padi për nxitje të urrejtjes.
Edhe kryebashkiaku i Karlsruhes, Frank Mentrup i Socialdemokratëve të qendrës së majtë, SPD tha se AfD kishte kaluar një vijë të kuqe, dhe se gjetja e “shënimeve të tilla në kutinë postare përforcon një ndjenjë pasigurie dhe frike”.
“Biletat”, të cilat mund të shkarkohen edhe nga faqja zyrtare e AfD-së në Karlsruhe, përfshinin slogane të tilla si “Është mirë edhe në shtëpi” dhe “Vetëm riemigrimi mund ta shpëtojë Gjermaninë”.
Top Channel