Me 29 vota pro dhe 8 abstenime, Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar buxhetin për vitin 2025 dhe projektbuxhetin afatmesëm 2025-2027.
Buxheti i vitit 2025 kap vlerën e 5.4 miliardë lekëve, ku 1.9 miliardë janë planifikuar për investime, ku një vend të rëndësishëm zë vazhdimi i programit të Rindërtimit, si dhe ndërhyrjet në infrastrukturën shkollore dhe rrugore. Ndërkohë, me shumicë votash, u miratua edhe paketa fiskale për vitin 2025. Por mbledhja nuk kaloi pa debate.
Ndër të tjera, këshilltari demokrat kërkoi shpjegime dhe për mungesën e 6.3 milionë eurove nga të ardhurat e bashkisë që prej vitit 2018, raportuar nga KLSH, për të cilat kryebashkiakja Emiriana Sako tha se kjo shumë lidhet me debitorët dhe se ato para nuk kanë hyrë asnjëherë në arkën e bashkisë, duke shtuar se mjaft debitorë ka dhe në rradhët e këshilltarëve.
Mbledhja e fundit e këtij viti për Këshillin Bashkiak të Durrësit, një nga më të rëndësishmet për zhvillimin ekonomiko-social të qytetit me mbi 300 mijë banorë, përfundoi pa një prezantim të detajuar të buxhetit dhe shpërndarjes së tij për vitin që vjen. Duke e miratuar atë me shumicë votash, Këshilli Bashkiak dhe bashkia e Durrësit synojnë të adresojnë sfidat e qytetit dhe të përmirësojë cilësinë e jetës për banorët, megjithëse kritikat për mungesën e transparencës mbeten të pranishme.
Top Channel