Emisioni Fiks Fare ka transmetuar mbrëmjen e sotme rastin e Margarita Taraj, mësuese e klasës së katërt në shkollën “Ramazan Jarani” në kryeqytet, e cila akuzon drejtorin e kësaj shkolle për ngacmim seksual dhe hakmarrje pas refuzimit të saj.
Sipas mësueses, ngacmimet nga ana e drejtorit filluan katër vjet më parë, kur ai i kishte bërë komente të papërshtatshme për pamjen dhe veshjen e saj, duke i thënë se ishte “e bukur” dhe duke e kërcënuar me pasoja në punë. “ Unë ose do të ul hundën ty ose do të ikësh” thotë mësuesja se kanë qenë fjalët e vazhdueshme të drejtorit në takimet me të.
“Ka patur raste që kur jam gjendur tek salla e kompjuterave vetëm, drejtori vinte dhe më thoshte sa e mirë je bërë, ça të kapim me dorë” thotë mësuesja.
Taraj shpjegon se refuzimi i saj ndaj pretendimeve të drejtorit ka çuar në një periudhë të vazhdueshme hakmarrjeje, duke përfshirë ndikimin negativ të drejtorit tek prindërit e nxënësve.
Ajo tregon se, përmes këtij ndikimi, një prind ka goditur fizikisht mësuesen në klasë, pas një incidenti ku ajo kërkonte nga djali i tij të mos vonohej. Incident ky që është raportuar në polici nga mësuesja.
Mësuesja tregon se në klasë i erdhi një fëmijë me aftësi ndryshe, që për 3 vite ishte vlerësuar me nota të larta, ndërkohë fëmija nuk dinte të shkruante dhe pas evidentimit prindi është bërë agresiv me mësuesen.
Gazetarët e Fiksit kërkuan një përgjigje nga drejtori i shkollës, Ilirjan Kalemasi. I cili mohoi të kishte ngacmuar mësuesen, madje sipas tij mësuesja ka probleme.
Pasi u pyet për goditjen e mësueses nga një prind, drejtorit e ka kaluar përgjegjësinë tek mësuesja, duke thënë se sjellja e saj jo e mirë ka detyruar prindin të reagojë në atë mënyrë. Në fillim drejtori thotë goditi mësuesja prindin, pastaj thotë nuk e di çfarë ka ndodhur.
Ai gjithashtu ka përmendur se për çështjen e nxënësit me aftësi ndryshe, është vendosur një mësues ndihmës, duke theksuar se ky është një proces i njohur dhe i miratuar.
Sipas drejtorit, është duke u bërë një procedurë për largimin e mësueses nga puna edhe pse kjo e fundit ka sjellë raportin e aftësisë në punë. “Ajo ka sjellë një raport aftësie në punë, por të mos i hyjmë kësaj, e ka sjellë në fillim të vitit” thotë drejtori. Ndërkohë vë në dyshim aftësinë e mësueses edhe pse mjeku ka thënë se është e aftë, duke kërkuar kështu edhe largimin e mësueses nga shkolla.
Top Channel