Ekskluzive/ “Pata një lajthitje”, Pirro Çako tregon historinë e këngës “E duam lumturinë” në ’88: Atëherë isha askushi, pse preferova Parashqevi Simakun

24/12/2024 20:55

Kënga e Parashqevi Simakut “E duam lumturinë” është shndërruar në një himn të gëzimit dhe shpresës, duke përcjellë mesazhin e dashurisë për jetën.

Me vargjet e poetit Agim Doçi dhe melodinë e Pirro Çakos, mori jetë kënga që rrëmbeu shpirtin e çdo dëgjuesi, që dhe sot pas 36 vitesh e shijon si ditën e parë.

Ishte viti 1988 kur Çako, ende në hapat e parë të karrierës, guxoi të kërkonte bashkëpunim me artisten më të dashur të momentit.

Pirro Çako: Pata një lajthitje… sepse unë isha askush në atë periudhë dhe pretendova që një këngë që kisha kompozuar t’ia jepja këngëtares më në zë. Kisha besim se ajo ishte një këngë e bukur, por duhej të shkonte në vendin e duhur. Gjërat u bashkuan, unë një anonim dhe Parashqevi Simaku në atë periudhë diva e muzikës shqiptare dhe ky konfigurim dhuroi këtë këngë që për mua është kënga më e famshme, më e kënduara në të gjitha trevat shqiptare.

Kënga pati një rrugë të shpejtë dhe të pashmangshme drejt suksesit dhe në festivalin e 27-të të Këngës mori çmimin e parë. Për gazetaren e Top Channel, Sara Hila kompozitori pohon se ky bashkëpunim ishte hap vendimtar në karrierën e tij.

Pirro Çako:  Parashqevia e ka kënduar atë këngë në një mënyrë të jashtëzakonshme, rrëqethëse që as unë nuk e besoja që do të kishte këtë shkëlqim zëri i saj. Më kujtohen fëmijët që dilnin në skenë dhe thoshin do ta fitojmë ne çmimin e parë. Mua më këputej shpirti se thosha ndoshta s’e fitojnë çmimin e parë, më vinte keq për fëmijët. Por deshi Zoti dhe çdo gjë shkoi mirë. Populli, juritë e rretheve ishin të gjithë me këtë këngë dhe ajo u kurorëzua me sukses.

Kjo këngë u bë hiti i dashurisë, gëzimit e lumturisë, që kaloi kufijtë e kohës dhe u bë simbol i në muzikës shqiptare. E duam lumturinë, dhe kjo këngë na kujton se ajo nuk është një destinacion, por një udhëtim që bëhet më i bukur me secilën notë dhe çdo varg që tingëllon në jetën tonë.

Këtë prag Krishtlindjeje, urimi i kompozitorit Pirro Çako për Parashqevi Simakun është rikthimi në skenën që ajo e ndriçoi me zërin dhe bukurinë e saj 30 vite më parë.

Top Channel falënderon aktivistin e të drejtave të njeriut, Elton Ilirjani, i cili bëri të mundur që Parashqevi Simaku të këndojë së bashku me stafin e Top Channel në urimin e fundvitit për të gjithë shqiptarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA