Gjykatësit kushtetues të mos marrin vendime të njëanshme.
Ky ishte apeli që drejtoi kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, së bashku me liderët tjerë të Frontit Europian të mbledhur para Gjykatës Kushtetuese, ku siç thonë kanë dalë “mbrojtje të gjuhës shqipe”.
Ahmeti bëri thirrje që të ruhet bashkëjetesa dhe demokracia në vend.
“Të punojmë të gjithë bashkë që paqja të avancohet, e jo të rrënohet. Do të doja që këtu të kishte edhe intelektual nga bashkëqytetarët maqedonas, si dhe popullatë. Ne asnjëherë nuk kemi kontestuar gjuhën dhe kulturën e tyre, çdo herë kemi tentuar t’i mbrojmë vlerat e tyre dhe tonat. Ne duam që vendi ynë të jetë në paqe, i integruar në BE, pa probleme me gjitha vendet fqinje dhe mirësi të përhershme me gjithë popujt e Ballkanit. E kaluara s`duhet harruar sepse me atë të kaluar kemi vuajtur të gjithë bashkërisht dhe sot sërish të ngritën çështje që janë mbyllur me një dokument dhe marrëveshje të dakordësuar në mes shqiptarëve dhe maqedonasve, pra Marrëveshjen e Ohrit. Këtij dokumenti sa duhet t’i dalim zot ne, po aq duhet t’i dalin të gjitha institucionet në RMV, sepse i dha fund luftës dhe i hapi shtegun paqes e dialogut. Prandaj kujdes mos e rrezikon të ardhmen e të rinjve dhe të rejave, neve na duhet e ardhmja jo e kaluara, pasi e kaluara është e dhimbshme për të gjithë ne”, thotë Ahmeti.
Ne nuk kërcënojmë asnjë, duam lirinë tonë, duam që dinjiteti ynë të mos na poshtërohet, shtoi Ahmeti duke theksuar se vendimet e njëanshme dhe selektive nuk i bëjnë mirë as demokracisë, as bashkëjetesës, ndërsa i përshkroi marrëdhëniet ndëretnike si “çelësin e stabilitetit”.
Top Channel