Falja që Presidenti Joe Biden i bëri të birit, Hunter, thelloi një ngërç mes politikës dhe shtetit të së drejtës, duke dëmtuar besimin në drejtësinë amerikane dhe pothuajse me siguri do të përkeqësohet gjatë mandatit të dytë të Donald Trump.
Ky veprim i së dielës mbrëma ishte një zhvillim befasues, pasi Biden erdhi në detyrë duke premtuar të rikthente pavarësinë e Departamentit të Drejtësisë, e cila ishte gërryer gjatë mandatit të parë të Trump-it, dhe sepse ai kishte deklaruar vazhdimisht se nuk do ta falte të birin.
Tani, disa javë para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë, Biden ka përdorur pushtetin presidencial për të falur të birin përpara seancave të dënimit që do të mbahen gjatë këtij muaji për dy akuza që lidhen me armët dhe taksat, të cilat dolën nga procesi ligjor.
Vendimi i tij erdhi disa ditë pasi këshilltari i posaçëm, Jack Smith, kërkoi të pushonte çështjet federale kundër Trump-it mbi ndërhyrjen në zgjedhje dhe ruajtjen e dokumenteve të klasifikuara — me arsyetimin se presidentët nuk mund të ndiqen penalisht.
Së bashku, këto kontestime ligjore ngrejnë pyetje mbi parimin themelor që mbështet sistemin e drejtësisë në Shtetet e Bashkuara: se të gjithë madje edhe presidentët dhe familjet e tyre — janë të barabartë para ligjit.
Deri të dielën, Biden nuk kishte ndërhyrë në çështjet kundër të birit, dhe Shtëpia e Bardhë kishte insistuar gjithmonë se ai nuk do ta bënte këtë, edhe pse ndryshimi i mjedisit politik, i shkaktuar nga fitorja zgjedhore e Trump-it muajin e kaluar, dukej se kishte të ngjarë të ndikonte në vendimin e tij.
Jehona e madhe politike
Nga ana politike, ndryshimi i qëndrimit të Biden mund të shihet si një njollë në trashëgiminë dhe besueshmërinë e tij. Kjo kontribuon në një fund të turpshëm të presidencës së tij, e cila u shemb pas paraqitjes së tij katastrofike në debatin e qershorit dhe që tani do të kujtohet po aq për hapjen e rrugës për rikthimin e Trump-it në Shtëpinë e Bardhë sa edhe për largimin e tij katër vite më parë.
Presidenti mund të ketë hapur gjithashtu një mundësi për partinë e Trump-it që të bashkohet pas Kash Patel, aleatit të ngushtë që presidenti i zgjedhur e zgjodhi të shtunën mbrëma për të udhëhequr FBI-në dhe për të shërbyer si një agjent i dukshëm i fushatës së tij për hakmarrje politike.
Nuk ka asnjë provë për shkelje nga ana e presidentit. Një hetim për shkarkim nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve, që shqyrtoi marrëdhëniet e biznesit të Biden dhe të birit, të cilin demokratët e panë si një përpjekje për të shkaktuar dëm politik para zgjedhjeve, nuk solli asgjë konkrete. Ndërkohë, çështjet kundër Hunter Biden-it nuk kanë rëndësinë kushtetuese apo peshën historike të aktakuzave kundër Trump-it dhe sulmeve të tij të shpeshta ndaj shtetit të së drejtës.
Megjithatë, ndikimi politik i dramës të së dielës mbrëma mund të jetë i thellë. Republikanët tashmë po argumentojnë se falja e Hunter Biden-it tregon se presidenti aktual, dhe jo ai i ardhshmi, është më fajtor për politizimin e sistemit të drejtësisë duke dhënë trajtim të favorshëm për të birin. Ky pretendim mund të mos jetë i saktë, por mund të jetë politikisht efektiv.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trump përdori faljet për të mbrojtur disa ndihmës dhe bashkëpunëtorë politikë, përfshirë edhe babain e dhëndrit të tij, të cilin tani e ka zgjedhur si ambasador në Francë. Por çdo herë në të ardhmen që Trump do të kritikohet për përdorimin e pushtetit të faljes, ai do të mund të argumentojë se edhe Biden bëri të njëjtën gjë për të mbrojtur familjen e tij.
Kjo mund të jetë veçanërisht e rëndësishme ndërsa Trump përballet me presionin nga mbështetësit e tij në muajt e ardhshëm për të falur ata që janë dënuar për krime të lidhura me sulmin ndaj Kapitolit më 6 janar 2021 shumë prej të cilëve janë ende në burg.
Megjithatë, Biden, pas një jete të mbushur me tragjedi dhe dhimbje, u kërkoi amerikanëve ta gjykojnë si një baba që ishte qartësisht i shqetësuar për ndikimin që mund të kishte një dënim me burg për të birin, një i varur nga droga në rikuperim.
Trump dhe Biden tani pretendojnë se Departamenti i Drejtësisë është politizuar
Hunter Biden u shpall fajtor nga një juri në qershor për blerje dhe posedim të paligjshëm të një arme zjarri, pas një gjyqi që zbuloi varësinë e tij nga droga dhe problemet familjare. Në shtator, ai pranoi fajësinë për nëntë shkelje tatimore, duke mos paguar 1.4 milionë dollarë taksa ndërsa shpenzonte bujarisht për eskortë, striptizere, makina dhe drogë.
Ka një farë vlefshmërie në pretendimin e presidentit në deklaratën e së dielës se i biri u “trajtuar ndryshe” për shkak të pozicionit të tij. Akuzat që lidhen me posedimin e paligjshëm të armëve ndërkohë që ishte i varur nga një substancë e kontrolluar dhe një deklaratë e rreme janë mjaft të rralla. Ndërkohë, hetimet e republikanëve në Kongres për këtë çështje, të cilat dështuan për mungesë provash, dukeshin si përpjekje të hapura për të dëmtuar presidentin.
“Asnjë person i arsyeshëm që sheh faktet e rasteve të Hunter-it nuk mund të arrijë në një përfundim tjetër përveçse Hunter u veçua vetëm sepse është djali im dhe kjo është e gabuar,” tha Joe Biden në deklaratë. “Ka pasur një përpjekje për të shkatërruar Hunter-in i cili ka qenë pesë vite e gjysmë esëll, edhe përballë sulmeve të pamëshirshme dhe ndjekjeve selektive. Duke u përpjekur të shkatërrojnë Hunter-in, kanë tentuar të shkatërrojnë edhe mua dhe nuk ka arsye të besojmë se do të ndalet këtu. Mjaft është mjaft.”
Deklarata e tij është e jashtëzakonshme, sepse Biden tani po argumenton diçka të ngjashme me Trump, që Departamenti i Drejtësisë është politizuar padrejtësisht. Biden iu referua mënyrës se si u trajtua çështja e Hunter Biden nga David Ëeiss, një prokuror amerikan i emëruar nga Trump në Delaëare, i cili fillimisht hetoi djalin e presidentit dhe më vonë u emërua si këshilltar i posaçëm nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.
Megjithatë, Hunter Biden e vuri veten në një situatë që krijoi një cenueshmëri politike dhe një konflikt të mundshëm interesi për të atin. Për më tepër, aktivitetet e tij të biznesit në Ukrainë dhe Kinë, ndërsa i ati ishte nënpresident dhe më pas, ngritën pyetje serioze etike, edhe pse republikanët nuk kanë arritur të prodhojnë prova që presidenti aktual ka përfituar nga këto transaksione.
Është domethënëse, pra, që falja e Joe Biden përfshin çdo aktivitet të të birit duke filluar nga 1 janari 2014 — viti kur Hunter Biden u bashkua me bordin e Burisma-s, një kompani energjetike ukrainase — ndërkohë që i ati, atëherë nënpresident, ishte thellësisht i përfshirë në politikën amerikane ndaj Kievit.
Ndërsa falja është një polemikë më vete, ajo mund të mos kishte ndodhur pa rrethanat e jashtëzakonshme të këtij momenti të tensionuar politik, me Trump-in që pritet të kthehet në pushtet më 20 janar në mesditë.
Duke pasur parasysh zgjedhjen e Kash Patel për të udhëhequr FBI-në dhe përzgjedhjen e dytë të Trump për prokurore të përgjithshme, Pam Bondi, ka arsye të arsyeshme për të pritur që Hunter Biden mund të ishte ndër ata që besnikët e presidentit të zgjedhur mund të synonin, duke marrë parasysh premtimet e tyre për të përdorur pushtetin kundër armiqve të tij.
Dhe tani që ka vepruar për të mbrojtur të birin, Joe Biden mund të përballet me thirrje për të përdorur më gjerë autoritetin e tij të faljes, ndoshta duke përfshirë edhe prokurorët që kanë punuar për çështjet kundër Trump-it, përfshirë përpjekjen e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 2020-ës.
Presidenti i zgjedhur veproi shpejt për të përfituar nga situata me një koment që do të rrisë pritshmëritë se ai do të lëshojë falje për të dënuarit e 6 janarit menjëherë pasi të marrë detyrën përsëri.
“A përfshin falja që Joe i dha Hunter-it edhe Dëshmorët e 6 Janarit, të cilët janë burgosur për vite me radhë?” shkroi Trump në një postim në Truth Social të dielën. “Një abuzim dhe shkelje e drejtësisë!”
Ndërkohë, aleatët republikanë të Trump kërkuan të përdorin situatën për të rritur shanset për konfirmimin e disa nga emërimet më provokuese të tij në Senat. “Demokratët mund të na kursejnë leksionet për shtetin e së drejtës kur, për shembull, Presidenti Trump emëron Pam Bondi dhe Kash Patel për të pastruar këtë korrupsion,” shkroi senatori i Arkansasit, Tom Cotton, në X..
Top Channel