Dy të vdekur dhe 13 të plagosur nga zjarri në Itali, shpëtohet edhe një foshnjë

25/09/2026 12:03

Dy persona, një burrë 65-vjeç dhe një grua 73-vjeçare, kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri të përmasave të mëdha që shpërtheu gjatë natës në Lucca, në Toskanë, në veriperëndim të Italisë.

Zjarri përfshiu një ndërtesë trekatëshe, ndërsa bilanci i incidentit është 2 viktima dhe 13 të plagosur, mes tyre edhe fëmijë.

Sipas autoriteteve, flakët nisën në katin përdhes dhe u përhapën me shpejtësi në ndërtesë. Disa familje u detyruan të dilnin në ballkone, duke pritur ndërhyrjen e forcave të shpëtimit. Zjarrfikësit arritën të shpëtonin edhe një foshnjë nga ndërtesa.

Trupat e dy viktimave u gjetën pasi përfundoi operacioni për shuarjen e zjarrit. Ata jetonin në të njëjtin apartament ku kishte nisur zjarri. Gruaja u gjet e djegur në dhomën e ndenjes, ndërsa burri u gjet në dhomën e gjumit. Sipas vlerësimeve fillestare, 65-vjeçari dyshohet se ka humbur jetën nga thithja e tymit dhe produkteve të djegies.

Shkaqet e zjarrit mbeten ende nën hetim nga Departamenti i Zjarrfikësve.

Mes 13 të plagosurve, një grua ndodhet në gjendje më të rëndë dhe është transferuar në Qendrën e Djegieve në Pisa për trajtim të specializuar.

Ndërkohë, Bashkia e Lucces ka nisur procedurat për strehimin e përkohshëm të banorëve të evakuuar, pasi ndërtesa është shpallur e pabanueshme.

Top Channel