Makthi i Valencias, qeveria spanjolle merr vendim historik! Shpall “lejet klimatike”

30/11/2024 15:12

Qeveria e Spanjës ka miratuar një dekret që mund të shkruajë historinë: Dokumenti, që parashikon ndihmë për banorët e Valencias të përballur pak kohë më parë me përmbytje katastrofike, parashikon gjithashtu një lloj “leje klimatike”, apo leje pune për njerëzit e prekur nga fatkeqësitë natyrore.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Carlos Cuerpo, i cili shpjegoi se këto pushime me pagesë do të zgjasin nga një deri në katër ditë dhe do të jenë të disponueshme kur “një punëtor nuk mund të shkojë fizikisht në vendin e punës” ose të kryejë detyrat e tij nga distanca.

Teksti përfshin legjislacionin e prezantuar tashmë në Kanada në vitin 2021, i cili përcakton se si punëtorët mund të përfitojnë nga pushimi me pagesë pas një alarmi klimatik të lëshuar nga autoritetet kompetente, si Mbrojtja Civile. Ministrja e Punës, Yolanda Díaz, shtoi se lejet do të aktivizohen në rast të alarmeve të motit ose paralajmërimeve për fatkeqësi nga një administratë kompetente.

Dekreti i miratuar nga qeveria parashikon edhe një ndihmë financiare prej më shumë se 2.2 miliardë euro në favor të zonave të prekura nga përmbytjet në fund të tetorit. Midis tyre, bonuse që mund të arrijnë në 10 mijë euro për personat që kanë humbur makina, motoçikleta apo mjete të tjera në fatkeqësinë natyrore dhe duhet të blejnë automjetin sërish.

Mbi dy javë më parë, mijëra vetë dolën në rrugët e Valencias duke kërkuar që autoritetet rajonale të mbahen përgjegjëse për mënyrën se si menaxhuan situatën pas përmbytjeve masive, ku humbën jetën më shumë se 220 persona, e mbi 80 të tjerë konsiderohen të zhdukur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA