Në një zhvillim befasues, si qeveria gjermane ashtu edhe ajo franceze po ndeshen me një problem të ngjashëm: Edhe pse kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri francez Michel Barnier duan të veprojnë politikisht, ata nuk marrin dot më para nga parlamentet e vendeve të tyre.
Në vazhdën e një debati dy javor, Asambleja Kombëtare në Paris rrëzoi para pak ditesh me një shumicë dërrmuese pjesën e parë të planit të buxhetit për vitin 2025, që lidhet me të ardhurat. Propozimi i qeverisë përfshinte një taksë mbi pasurinë e miliarderëve, një taksë mbi super dividendat e korporatave të mëdha, një taksë për kompanitë multinacionale dhe një taksë më të lartë për kompanitë digjitale, si dhe një taksë të re për motoçikletat veçanërisht të zhurmshme.
Buxheti i shtetit përfaqëson programin e qeverisë të shprehur në shifra, e pikërisht në këto kohë të vështirë, ekzekutiveve në Berlin e Paris u mungojnë paratë për të vënë në zbatim axhendat e tyre. Tashmë një qeveri pakice, ajo e Scholzit mund të shpresonte maksimumi që përpara zgjedhjeve të arrihej një ribalancim i buxhetit të këtij viti me mbështetjen e opozitës.
Ky ribalancim u bë i nevojshëm sepse qeverisë i mungojnë fondet për këtë vit: për kosto shtesë prej 3.7 miliardë euro për asistencë sociale për qytetarët dhe më shumë se dhjetë miliardë euro për investime shtesë në burimet e rinovueshme të energjisë.
Deri në fund të vitit, qeveria duhet të gjejë paratë ose të vendosë një ngrirje të shpenzimeve buxhetore. Më pak se pesë javë më vonë, më 23 shkurt, gjermanët do të votojnë për të zgjedhur një parlament të ri. Formimi i qeverisë, në varësi nga rezultatet e zgjedhjeve, mund të zgjasë deri në pranverë.
Top Channel