Projekti 1 trilionësh i Arabisë Saudite arrin ‘rekord’ të ri pas vdekjes së 21,000 punonjësve gjatë ndërtimeve (fotot)

13/11/2024 17:32

Vdekjet shokuese raportohet se kanë ndodhur në një numër projektesh gjigante ndërtimit në Arabinë Saudite që kanë nisur prej vitit 2016 me programin ‘Vision 2030’.

Një dokumentar i rrjetit britanik ITV muajin që shkoi sugjeronte se 21,000 punëtorë të huaj ndërtimi kanë vdekur në projektet ambicioze dhe rreth 100,000 janë zhdukur që prej nisjes së planeve dhe ardhjes së emigrantëve për të punuar.

Por autoritetet arabe të sigurisë në punë mohojnë shifrat, teksa deklaronin për rrjetin Newsweek: “Ne lidhje me dezinformacionin që qarkullon në disa platforma mediatike për rritjen e numrit të vdekjeve në punë në Arabinë Saudite, ne i refuzojmë kategorikisht këto pohime. Përqindja e vdekjeve në punë është 1.12 për çdo 100,000 punëtorë, dhe është nga më të ulëtat në botë”.

Zhvillimi i referohet kryesisht ndërtimeve për qytetin e pazakontë të shkretëtirës “Linja” që pritet të kushtojë nga 100 deri në 200 miliardë dollarë, shkruan rrjeti britanik Unilad.

E nxitur nga princi i kurorës Mohammed Bin Salman, fushata e ndërtimeve gjigante reklamohet si “plani i diversifikimit të ekonomisë, dhe krijimit të mjedisit vibrant për investitorë vendas e të huaj, duke kthyer Arabinë Saudite në një lider global”.

Por sipërmarrja që pritet të rrisë turizmin në Arabinë ka ardhur bashkë me shume probleme dhe metoda arbitrare të autoriteteve.

Në shkurt 2023, rrjeti Middle East Eye raportonte se 47 anëtarë të fiseve arabe Al-Howeitat ishin ndaluar ose arrestuar për refuzim të lirimit të tokës në provincën Tabuk për të lejuar projektet e qeverisë.

Grupi i të drejtave Alqst, e quante ngjarjen “Ana e errët e Neom” teksa shtonte se 14 anëtarë të fisit Al-Howeitat janë dënuar me burg për 15 deri në 50 vjet.

Qyteti Neom pretendohet se është një ‘mrekulli e arkitekturës’ nga autoritetet aktuale, ndërsa kritikët thonë se mund të mbetet një strukturë e braktisur si shumë projekte të ekzagjeruara në vende të tjera të botës.

Një zëdhënës i grupit të të drejtave të punëtorëve ‘Anti-Slavery International’ tha: “Me Neom, Arabia Saudite thotë se po ndërton qendra urbane me qëndrueshmëri e rigjenerim, por kjo nuk merr parasysh shfrytëzimin e dhunimin e të drejtave të punonjësve të huaj”.

FOTO GALERI
2/3
E nxitur nga princi i kurorës Mohammed Bin Salman, fushata e ndërtimeve gjigante reklamohet “plani i diversifikimit të ekonomisë, dhe krijimit të mjedisit vibrant për investitorë vendas e të huaj"

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA