“I lidhën me tela me gjëmba dhe i tërhoqën zvarrë”, krimi brutal i bandës Vakëfi në ’97, Prokuroria kërkon 25 vite burg për kreun e grupit

09/11/2024 15:05

Prokuroria Berat ka kërkuar 25 vite burg për shtetasin Byniamin Hajro, i njohur si Bujo Çami për ‘Vrasje me paramendim’ ndaj dy personave, në vitin 1997, një krim makabër që tronditi vendin.

Kjo ishte e vetmja ngjarje që i kushtoi dënimin kapobandës Byniamin Hajro dhe njerëzve të tij, që është torturimi dhe vrasja e shtetasve Arjan Avdullai dhe Eduart Pema në 2 qershor të vitit 1997.

Ata u morën peng, u lidhën me tela me gjemba në garazhin e banesës së Bujo Çamit. Aty u torturuan për 24 orë. Bledar Pema, 13-vjeçar aso kohe pa gjithë skenën se si u torturua i vëllai.

Të katër personat i lidhën me një tel, te ganxha e rimorkimit nga mbrapa, të një makine Golf me ngjyrë si gri me targa Berati trupin e Eduart Pemës dhe Arjan Avdullait. Dy kufomat i tërhoqën zvarrë nëpër rrugën e lagjes që të çon në sheshin Vakëf.

Aty i lyejnë me benzinë dhe u vënë zjarrin. Familjet e viktimave nuk guxuan të denoncojnë. Vite më vonë, dëshmia e Bledar Pemës vuri para akuzës Byniamin Hajron, Kudret Zhukën, Kastriot Frashërin dhe Gazmend Hoxhën.

Njoftimi i Prokurorisë së Beratit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat në përfundim të hetimit, kërkon deklarimin fajtor të të pandehurit B.H., për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal ndaj viktimave E.P. dhe A.A., në vitin 1997 dhe dënimin e tij me 25 vjet burgim.

Në kuadër të procedimit penal nr. 175 për vrasjen e dy shtetasve më 03.06.1997, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pas analizës në tërësi të të dhënave dhe provave të marra, ka prova të mjaftueshme se i pandehuri B.H., ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar.

Nga hetimet rezultoi se i pandehuri, shtetasi B.H., në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar, pasi i kanë rrëmbyer viktimat E.P. dhe A.A., i kanë futur në një garazhd dhe i kanë tortuar duke i goditur me mjete të forta, me armë zjarri dhe duke i djegur ata të gjallë, duke iu shkaktuar kështu vdekjen. Pas torturave, autorët e veprës penale i kanë tërhequr zvarrë trupat e viktimave me makinë në qytet.

Prokuroria provoi se i pandehuri B.H., ka vepruar në bashkëpunim me persona të tjerë të paidentifikuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim (dy herë), parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal dhe ka kryer veprën penale duke qenë në rolin e organizatorit dhe ekzekutorit.

Sa më sipër u arrit në përfundimin se shtetasi B.H., me veprimet e tij të kundërligjshme ka konsumuar të gjithë elementët e veprës penale të “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga neni 78/1 i Kodit Penal.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA