Atentati me 3 viktima, u realizua në të njëjtën formë dhe thuajse në të njëjtin vend ku u ekzekutua në vitin 2021 Bardhok Pllanaj, i njohur me nofkën kumbari.
Bosi i drogës kishte raporte normale me grupet kryesore në Shkodër, por në atë periudhë, ishte parë disi më afër familjes Lici. Në dosjen “Metamorfoza”, u zbuluan disa transkripte mjaft të dyshimta mes Pëllumb Gjokës dhe Behar Bajrit, nga të cilat u kuptuan ndarjet e reja mes grupeve.
‘Pëllumbi i tregon që ‘Bardhoku është elektron i lirë dhe ai i kryen takimet, mendoje. Behari shprehet që po, për atë kam qejf, por jo vetëm. Kam qejf bashkë me Blertin”, thuhet në dosje.
Personi që përmendet me emrin Blerti, mendohet se është shtetasi Bledar Cafi, kreu i familjes së njohur Cafi. Dikur, Shkodra dominohej nga Cim Cafi, i eliminuar në atentat në vitin 2006. Pas asaj ngjarje, emri dominues në Shkodër u bë Admir Koçia, që dikur kishte qenë në rivalitet me Cafin. Mbretërimi i Koçisë vijoi deri në vitin 2012 kur u eliminua në një atentat. Pas asaj ngjarje, balancat lëvizën edhe njëherë në Shkodër.
Në krye dolën familjet Bajri dhe Lici të zhytur në konflikt prej vitesh. Këto fise, kishin ndarë zonat e influencës dhe nuk cënonin territoret e tyre. Në vitin 2017, para se të niste hasmëria mes grupeve, Muhamed Lici u arrestua nën akuzën për gjobëvënie. Ai dërgonte në tregun e Zdrales ushtarët e tij, që vilnin pagesa fikse mujore nga shitësit. Pra, një skemë e njëjtë siç operonte “Cosa Nostra” italiane. Pak a shumë, kjo metodë operimi ka qenë e zakonshme mes grupeve që kanë ndarë zonat e influencës.
“Në këtë konflikt duhet të kemi parasysh që nuk janë vetëm dy grupimet kryesore të njohura por dhe lidhjet e tyre shoqërore dhe fisnore të përfshira po aq direkte”, u shpreh profesori i drejtësisë, Kreshnik Myftari.
Aleancat mes grupeve, intrigat dhe lufta për territor, fsheh mjaft interesa që shkojnë edhe përtej ngjarjeve të dekadës së fundit mes Licëve dhe Bajrave.
“Rasti konkret tregon diçka të tillë që vrasja për gjakmarrje, pavarësisht deformimit kanunit është ndërthurur me vrasje për krim të organizuar e trafiqe të paligjshme e bën shumë më të vështirë hetimin e tyre”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.
Top Channel