Referuar Institutit të Statistikave INSTAT, në Republikën e Shqipërisë ka gjithsej 1 milionë e 82 mijë banesa.
Në qarkun e Tiranës që është më I madhi në vend janë rreth 53 mijë shtëpi bosh, çdo vit në kryeqytet shtohen 8 mijë apartamente dhe do të duheshin 45 vjet që ato të popullohen me banorë.
Eksperti për ekonominë, Pano Soko shprehet: “Tirana ka mbindërtuar apartamente banimi, pa patur banorët që do të banojnë në to. Dhe përfundimi pas censit është i qartë, apartamentet nuk u ndërtuan që familje të shkonin të banonin aty, ato u përdorën si parking parash, për të pastruar paratë e njerëzve të cilët kishin prodhuar para nga aktivitetet kriminale”.
Po si ka mundësi që çmimet mbeten shumë të larta dhe të papërballueshme?
“Kjo pasi çmimi i përgjigjet kërkesës. Kërkesa nuk e di nëse paraja është e piste apo e pastër, kërkesa di vetëm paranë. E përsa kohë që ka para, influks që hyn në industri, për aq kohë çmimet do të vazhdojnë të rriten.
Që pas pandemisë, duket se paraja e pistë nuk është orientuar vetëm në Tiranë. Edhe në jug, Vlorë, Himarë, Sarandë, po ndodh I njëjti fenomen. Por atje ka një përzierje mes parasë së pistë dhe investimeve të njerëzve të cilët kërkojnë të blejnë apartamente pushimi.
Ka vetëm një rrugë për ta zgjidhur këtë problem. Ndërprit kanalin e parave të pista. Lëre ekonominë të shkojë në ekuilibrin e saj natyror, të ligjshëm. Ajo që e bën një vend atraktiv për të rinjtë, çiftet e reja, është kur kostoja e apartamentit apo qirasë është e lirë dhe paga e punës është e lartë. Këtu ndodh e kundërta”.
Top Channel