Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur që këtë premte të mbajë mbledhjen për vakancën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese pas dorëheqjes së Elsa Toskës.
Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha në njoftimin zyrtar thuhet se K.E.D. njofton thirrjen, mbledhja mbahet sot në orën 14.00, pranë Gjykatës së Lartë.
Një nga pikat e KED është hedhja e shortit për caktimin e relatorit dhe të këshilltarit ligjor për shqyrtimin e kandidaturave që kanë shprehur interesin për t’u zgjedhur në pozicionin vakant të krijuar në Gjykatën Kushtetuese.
Por pika e dytë më e rëndësishme është ajo e diskutimeve mes anëtarëve lidhur “me njoftimin e Kuvendit që ka të bëjë me përcaktimin kohëzgjatjes së mandatit të vakancës së krijuar në Gjykatën Kushtetuese”.
Kjo pikë pritet të hapë debate se sa do të jetë mandati sipas ligjit i gjyqtarit kushtetues zëvendësues, pasi ka debate se si organ emërtese Kuvendi ka keqllogaritur kohën e mandatit që duhet të zgjasë për gjyqtarin e nëntë i cili do të zëvendësojë Elsa Toskën.
Janë 10 kandidatura, ndërkohë që plotësimi i Kushtetueses ka rëndësi të veçantë mbi dy çështje në Kushtetuese.
Njëra është Sky Ecc për të cilën nuk ka dalë ende një datë dhe e dyta seanca e ish kryeministrit Sali Berisha.
Top Channel