Protesta në Turqi për arrestimin e kryebashkiakut opozitar për ‘lidhje me grupet militante kurde’ (fotot)

31/10/2024 19:34

Partitë opozitare turke protestonin sot kundër atij që quanin “arrestim i motivuar politikisht”, i një kryebashkiaku opozitar të akuzuar për lidhje me grupin militant kurd PKK.

64 vjeçari Ahmet Ozer, kryetar i zonës Esenyurt të Stambollit nga partia kryesore opozitare republikane CHP, u arrestua dje dhe qeveria me shpejtësi e zëvendësoi me të besuarin e saj.

Partitë pro-kurde CHP e DEM, dënonin arrestimin si një “grusht politik” – dhe u bënë thirrje demonstruesve të mblidhen para bashkisë së Esenyurt.

Por policia arriti të ndalonte demonstruesit duke i detyruar të ndryshonin vendin e grumbullimit disa km më larg, shkruan rrjeti AFP.

“I caktuari i qeverisë do të shkojë, kurse ne do të qëndrojmë!” brohorisnin sot turmat, duke valëvitur flamurë e pankarta.

Ndërsa ministria e brendshme njoftonte se Ozer u arrestua për “anëtarësi në grupit e terrorit  PKK”, me të cilin sipas tyre ai kishte pasur kontakte prej shumë vitesh.

Dje në gjykatë Ozer mohonte akuzat, teksa qindra njerëz ishin mbledhur jashtë, përfshirë dhe bashkiakun e fuqishëm të Stambollit, Ekrem Imamoglu.

Ky i fundit duke folur në protestën e sotme, akuzonte qeverinë e Erdogan se po luante lojë të pisët kundër Esenyurt.

“Ata kërkojnë justifikime për të mbrojtur pushtetin e tyre, i cili është i mbushur me korrupsion e paligjshmëri”, tha Imamoglu duke nxitur qeverinë të respektojë vullnetin e popullit.

Ozer është i afërt me Imamoglu, dhe ka gjasa të jetë kandidat për zgjedhjet presidenciale të 2028.

Edhe kryebashkiaku i Ankarasë nga partia opozitare CHP, Mansur Yavas tha se “padyshim ka një dimension politik” në arrestimin e Ozer, ndërsa shtonte në rrjetet sociale se “akuza të vakëta e abstrakte” ngrenë dyshime për demokracinë e rendit ligjor.

Arrestimi vjen pasi qeveria turke ka larguar shumë kryebashkiakë kurdë në juglindje të vendit duke i zëvendësuar me njerëzit e saj.

Gjashtë muaj më parë ata larguan nga posti kryebashkiakun e zgjedhur nga partia DEM në qytetin lindor Van, por pas protestave të ashpra të komunitetit ai u lejua të rimerrte postin e tij, shkruan rrjeti AFP.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA