Ngjarja e një dite më parë kur skiatorja italiane Matilde Lorenzi humbi jetën duke bërë ski, ka marrë vëmendjen e të gjithë botës sportive, jo vetëm të protagonistëve dhe aktorëve të këtij sporti.
Së bashku me 19-vjeçaren Lorernzi është rritur dhe ka filluar siknë edhe skiatori shqiptar, Deni Xhepa. I lindur, rritur dhe formuar profesionalisht në Itali, Xhepa tregon për Top Channel gjendjen e tij të rënduar pas lajmit që shoqja e tij e fëmijërisë dhe kolegia e sportit të skive, Matilde Lorenzi humbi jetën gjatë stërvitjes në një zonë të alpeve italiane në Bolzano.
“Nuk jam aspak mirë! Unë dhe Mati jemi rritur bashkë, jemi stërvitur bashkë dhe kemi kaluar shumë kohë me njëri-tjetrin. Ne ishim edhe në të njëjtën shkollë. Situata të tilla ndonjëherë na sjellin ndërmend se sa e rrezikshme është ajo që bëjmë, por ndonjëherë pasioni dhe e përditshmja të bëjnë të harrohesh. E kam shumë të vështirë të flas më tepër, jam i copëtuar”, tha Xhepa.
Për këtë tragjedi të sportit italian ka reaguar i gjithë komuniteti sportiv dhe politik në gadishullin Apenin pasi Matilde Lorenzi ishte pjesë e kombëtares italiane të skive, pjesë e klubit sportiv të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një ndër talentet premtuese të këtij sporti
Top Channel