Episode dhune njollosin zgjedhjet parlamentare në Gjeorgji, thotë BE (fotot)

26/10/2024 17:00

“Banda të krimit të organizuar … po përpiqen të dëmtojnë procesin zgjedhor me agresione dhe intimidime”, tha sot aktivistja opozitare Ana Natsvlishvili.

Në disa pika zgjedhore sot në Gjeorgji kishte shpërthyer dhuna, teksa njerëzit hidhnin votën në zgjedhjet e shtetit të Kaukazit, që po ndiqen nga afër nga komuniteti ndërkombëtar.

“Ata na rrahën, na pështynë dhe na kërcënonin”, tha mbikqyrësi i zgjedhjeve Gela Mtivlishvili, në pikën e votimit në Akhmeta në lindje të vendit.

Në vijim të akuzave ai shtonte se “dëshmuam sesi koordinatori i partisë Endra Gjeorgjiane i dha para një votuesi”.

Gazetarët dhe aktivistët dëshmuan disa përplasje fizike mes politikanëve opozitarë dhe atyre që ata quanin “banda kriminale”.

Bashkimi Evropian i konsideron këto zgjedhje si pika vendimtare për qëndrimin ndërkombëtar të vendit, teksa mund të përcaktojnë nëse Gjeorgjia do të anohet nga BE apo nga Moska në skenën ndërkombëtare.

Opozitarja Ana Natsvlishvili nga partia Gjeorgjia e Fortë tha se organet e rendit nuk ndërhynin edhe kur dëshmonin “përpjekjet e bandave kriminale për të prishur procesin zgjedhor”.

Presidenti i vendit Salome Zourabichvili kishte bërë thirrje më herët që “ministria e brendshme të largojë kriminelët” nga qendrat zgjedhore, shkruan rrjeti Politico.

Ndërsa kreu i partisë në pushtet ‘Ëndrra Gjeorgjiane’, Mamuka Mdinaradze, tha në televizion se opozita “po inskenonte operacione” për të krijuar përshtypjen e kaosit .

Në qytezën jugore të Marneuli, qendra e votimit ishte mbyllur pas publikimit të pamjeve se një aktivist i partisë në pushet po mbushte kutinë e votimit me fletë.

Një hetim për “mashtrim zgjedhor kishte nisur mbi çështjen,” sipas komisionit zgjedhor, i cili shtoi se fletët e atij stacioni vote do të shpalleshin të pavlefshme.

Deri sot pasdite në orën lokale 15.00 të Tbilisit, komisioni tha se pjesëmarrja kishte arritur në 41.62 përqind, shkruan rrjeti Politico.

FOTO GALERI
2/3
Zgjedhjet mund të përcaktojnë nëse Gjeorgjia do të anohet nga BE apo nga Moska në skenën ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA