‘Kështjella’ artistike në favelën e Sao Paulo zbukurohet prej dekadash nga ‘Gaudi brazilian’ (fotot)

25/10/2024 19:24

Në një kodër të Paraisopolis, ‘favela’ e dytë më e madhe e Sao Paulo, shfaqet puna e pabesueshme e Estevao Silva da Conceicao, i cili ka shpenzuar katër dekada për të krijuar një kështjellë unike, bukuria e së cilës i ka dhënë atij pseudonimin “Gaudi Brazilian.”

“Në fillim më bënin shumë kritika,” thotë Silva da Conceicao, 67 vjeçari ish-kopshtar e murator, që ka krijuar strukturën e veçantë në një shkëmb të pjerrët, duke e veshur me kujdes me copa pllakash, porcelane apo dhe kocka të thyera.

“Kam shpenzuar gjithçka për këtë projekt, kam punuar aq shumë sa mund të them se është vepra e jetës time”, thotë ai.

Ajo që dikur ishte shtëpia e tij është kthyer në një instalacion me ballkone shumëngjyrëshe dhe punime druri e qeramike të instaluara në fasadë e ne brendesi.

E njohur nga vendasit si El “Castelinho”, vendi është kthyer në një atraksion turistik prej ngjashmërisë me kryeveprën emblematike Park Güell, të krijuar nga arkitekti i Katalonjës Antoni Gaudí (1852-1926) në Barcelonë.

Por braziliani me mustaqe të gjata dhe të folur të qetë, nuk ka marrë asnjë ndihmë nga mjeshtri spanjoll për krijimin e tij, megjithe ngjashmërinë e stilit, shkruan rrjeti AFP.

Puna e tij tërhoqi vëmendjen e regjisorit vendas Sergio Oksman që krijoi dokumentarin “Gaudí në një favela” (2002), pas të cilit Silva udhëtoi në Barcelona në 2001 dhe mësoi për artistin e famshëm katalanas.

Publikimi i filmit e bëri atë të famshëm si me vendasit dhe të huajt, të cilët mund të vizitojnë ambjentet e brendshme me kosto pesë dollarë për hyrjen.

“Duket e pabesueshme sesi një hapësirë kaq e vogël të jetë kaq e pasur”, thotë turistja vendase Celly Monteiro Mendes, duke vërejtur detajet në çdo cep të apartamentit 60 metra katrorë me labirinte të fshehtë e të papritur.

Teksa ngjitesh në shkallët e ngushta shfaqen bimë të ndryshme ose zogj që cicërojnë. Pamja nga ballkoni i shtëpizës tregon për pabarazinë në Sao Paulo: favelat në sfond dhe ndërtesat e bardha imponuese në zonën e pasur fqinje Morumbi.

“Kam shpenzuar 39 vjet këtu tani, por nuk e di nëse do ta mbaroj derisa të vdes, vetëm Zoti e di”, shton artisti pensionist, në një tjetër ngjashmëri me katedralen e papërfunduar të Gaudi, ‘Sagrada Familia’ në Barcelonë, ​​që vijon të mbetet në ndërtim prej 140 vjetësh.//AFP/

FOTO GALERI
7/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA