Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pretendon se efektivi që i nxori armën Luan Baçit sot paradite në Kuvend, ishte Altin Muço.
Teksa foli nga ballkoni i tij, në tubimin e përnatshëm, Berisha madje kërcënoi efektivin kur tha “nuk të mbron njeri, nuk do të gjesh vend mbi tokë”.
“Altin Muço, ti që nxore revolen ndaj deputetit, vend mbi tokë nuk do të kesh! Nuk të mbron njeri ty! Altin Muço, ti që nxore revolen ndaj deputetit, vend mbi tokë nuk do të kesh! Bandit, mercenar që nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh ligj, nuk njeh moral. Nuk të mbron ty as Ervin Porja apo Troplini, as Ilir Shullazi, as Edvin Hajduti. Nuk të mbron njeri ty! Ke bërë një akt që nuk e ka bërë kush nga viti 1945 gjer sot. Trimëria, guximi, vendosmëria e deputetëve të opozitës në sallë dhe jashtë sallës e shndërroi parlamentin në kështjellën e pamposhtur të opozitës. E shndërroi parlamentin në kështjellën e qëndresës, në kështjellën e fitores”, u shpreh Berisha.
Gjatë përballjes së deputetëve të PD me gardën dhe veçanërisht me një grup policësh në hyrjen e oborrit të Kuvendit, ndodhi një përplasje mes deputetit të PD Luan Baçi dhe policëve. Baçi tha se efektivi i kishte vendosur pistoletën në gjoks. Policia e përgënjeshtroi duke thënë se policët nuk mbajnë armë në tubime.
Top Channel