Izraeli ka arritur sukses të rëndësishëm në javët e fundit, por merr kritika nga SHBA! A kanë ata një strategji për kohën e pas luftës?

13/10/2024 09:27

Izraeli ka arritur disa suksese të rëndësishme ushtarake në javët e fundit, por ekspertët politikë në SHBA dhe Izrael e kritikojnë qeverinë për mungesën e planeve për t’i shndërruar këto në suksese diplomatike.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka hyrë në vitin e dytë dhe ende nuk ka fund në horizont. Qeveria izraelite duket se është mjaft e paqartë se si mund të përfundojë kjo luftë dhe çfarë do të ndodhë më pas. Ajo nuk përmend ndonjë plan konkret. Si qeveria ashtu edhe kryeministri Benjamin Netanyahu flasin për një “fitore totale”. Çfarë do të thotë kjo në praktikë mbetet e paqartë, megjithatë, dhe shumë vëzhgues janë të bindur se nuk ka asnjë mendim unanim për këtë as brenda qeverisë izraelite. Hamasi është kategorizuar si organizatë terroriste nga SHBA, BE,  Kanadaja,Gjermania, e vende të tjera.

Status-quoja kthehet në luftë

Për vite me radhë, Netanyahu dhe qeveritë e ndryshme nën të u përpoqën të ruanin status quo-në në konfliktin me palestinezët. Në hebraisht, kjo qasje njihet si “Nihul HaSikhsukh” ose “menaxhimi i konfliktit”: situata ekzistuese duhet të ruhet në të gjitha rrethanat. I ndarë mes kërkesave të votuesve të tij të krahut ultra të djathtë dhe nevojës për të gjetur një zgjidhje për situatën në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Gazën, Netanyahu e shtyu vazhdimisht një vendim.

Sipas raporteve të mediave izraelite, Netanyahu deklaroi në vitin 2019 se ishte pjesë e strategjisë së tij të ruante ndarjen midis fraksioneve palestineze në Bregun Perëndimor dhe Gaza duke lejuar transferime parash nga Katari në Hamas. Por që nga 7 tetori 2023, shumë izraelitë e shohin këtë strategji jo vetëm si një dështim, por edhe si vdekjeprurëse.

Këtë ditë rreth 1200 njerëz, shumica prej tyre civilë, humbën jetën në sulmet terroriste. Grupet e ndryshme islamiste që kryen këto sulme, të udhëhequra nga Hamasi, gjithashtu rrëmbyen rreth 250 njerëz në Gaza. 101 prej këtyre pengjeve mbahen ende atje.

Ishte sulmi më i tmerrshëm terrorist në historinë e Izraelit dhe masakra më vdekjeprurëse e hebrenjve që nga Holokausti. Qeveria izraelite u detyrua të bënte diçka që e kishte shmangur në përshkallëzimin e mëparshëm me Hamasin: ajo shpalli zyrtarisht luftë të gjithanshme. “Jo ofensivë, jo mision luftarak, një luftë”, bëri të qartë Netanyahu kur mësoi për sulmet e 7 tetorit.

SHBA bën thirrje për ‘strategji politike’ 

Por një vit pas fillimit të luftës kundër Hamasit dhe vetëm disa javë pas sulmit të parë të Izraelit në Libanin jugor, Netanyahu duket se po i kthehet zakoneve të tij të vjetra. Dhe kjo vjen në një kohë kur autoritetet izraelite të sigurisë po bëjnë thirrje për më shumë vendosmëri në procesin e vendimmarrjes politike.

Nga njëra anë, ushtria izraelite thekson se e ka mposhtur krahun luftarak të Hamasit “në nivel ushtarak” dhe se ai mund të veprojë vetëm si një grup gueril. Nga ana tjetër, nuk ka ndonjë gjë të re për të raportuar për kthimin e 101 pengjeve që mbeten në duart e grupeve militante në Gaza.

Rregullisht ka sulme brenda Izraelit. Në përshkallëzimin e fundit me Libanin, ushtarë izraelitë humbën jetën dhe mijëra izraelitë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Nga ana libaneze, Ministria e Shëndetësisë raportoi të paktën 274 të vdekur dhe 1,024 të plagosur pas sulmeve ajrore izraelite në fund të shtatorit. Pas sulmit të fundit izraelit më 10 tetor në qendër të Bejrutit, autoritetet konfirmuan vdekjen e të paktën 22 personave.

SHBA, aleati më i ngushtë i Izraelit, po kërkon nga Netanyahu një strategji për periudhën e pasluftës dhe të ardhmen e rajonit. Në maj, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA, Jake Sullivan u takua me Netanyahun, presidentin izraelit Isaac Herzog dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë. Aty ai “theksoi nevojën që Izraeli të lidhë operacionet e tij ushtarake me një strategji politike që siguron mposhtjen e qëndrueshme të Hamasit, lirimin e të gjithë pengjeve dhe një të ardhme më të mirë për Gazën”, u shpreh Sullivan pas vizitës së tij në Izrael.Si të veprohet më tej?

Shumica e popullsisë izraelite beson se qeverisë i mungon një strategji e qartë. Sipas një sondazhi të kohëve të fundit nga Instituti i Politikave të Popullit Hebre, 57 për qind e popullsisë fajëson mungesën e strategjisë së qartë si shkak që lufta ka vazhduar për kaq gjatë. 76 për qind e izraelitëve gjithashtu besojnë se lufta po zvarritet, sepse qeveria po humb shumë kohë për të marrë vendime. Sipas shumë njerëzve, edhe vetë mbijetesa e qeverisë së koalicionit gjithashtu luan një rol tek kjo situatë.

Partia Likud e Netanyahut ka fituar pikë në sondazhet javët e fundit, por vetë qeveria e koalicionit të krahut të djathtë vazhdon të mbetet prapa partive opozitare. 55 për qind janë të bindur se lufta do të zgjatet për këtë shkak.

Ndërkohë që e djathta ekstreme izraelite bën thirrje për sulme ndaj mbështetësit kryesor të Hezbollahut, Iranit, të moderuarit në qeverinë e Netanyahut, nga ana tjetër, besojnë se bashkëpunimi me SHBA-në është rruga e duhur.

Javët e fundit, forcat izraelite vranë jo vetëm liderin e shumëkërkuar të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, por edhe udhëheqës të tjerë të milicisë së Hezbollahut. Teherani hodhi 200 raketa drejt Izraelit në përgjigje të vrasjes së Nasrallah dhe udhëheqësve të tjerë të Hezbollahut.

Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë Izraelit t’i kthejë operacionet inteligjente dhe ushtarake në suksese politike. Një burim që e njeh mirë qeverinë izraelite i tha Washington Post se Izraeli ka një strategji për të luftuar Hezbollahun, por “jo domosdoshmërisht një strategji për atë që do të vijë më pas, si t’i japë fund asaj”.

Nuk ka zgjidhje me dy shtete

Lidhur me “fitoren totale” të shpallur nga Netanyahu, Komiteti i Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes i Parlamentit izraelit ishte planifikuar të mblidhej më 6 tetor për të sqaruar zyrtarisht termat “fitore” dhe “humbje”. Takimi u anulua. Mungesa e një strategjie të qeverisë izraelite ka pasoja edhe për periudhën e pasluftës. E djathta ekstreme në qeveri dëshiron të zgjerojë vendbanimet në Bregun Perëndimor, të cilat komuniteti ndërkombëtar i konsideron kryesisht si të paligjshme. Disa nga e djathta ekstreme madje do të dëshironin të shihnin përsëri vendbanime izraelite në Rripin e Gazës.

Ndërkohë janë shtuar zërat nga bota arabe dhe myslimane që bëjnë thirrje për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin në këmbim të krijimit të një shteti palestinez. Zëra që deri vonë dëgjoheshin vetëm me dyer të mbyllura apo në biseda konfidenciale. Ayman Safadi, ministri i jashtëm i Jordanisë, është politikani më i lartë arab që ka folur hapur për këtë çështje.

Në një konferencë shtypi pas fjalimit të Netanyahut në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, Safadi tha se bota arabe dhe myslimane ishte e gatshme të garantonte sigurinë e Izraelit nëse qeveria izraelite binte dakord për krijimin e një shteti palestinez në kufijtë e para 1967-ës. Izraeli e ka hedhur poshtë një zgjidhje me dy shtete, u shpreh Safadi. Vetë qeveria izraelite nuk pozicionohet në lidhje me zgjidhjen me dy shtete, por disa zyrtarë qeveritarë janë shprehur publikisht fuqishëm kundër një shteti të mundshëm të tyre për palestinezët. “A mund t’i pyesni përfaqësuesit e Izraelit se cili është qëllimi i tyre përveç luftë, luftë dhe më shumë luftë?”/ DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA