“Kemi përgjegjësi ndaj myslimanëve”, Erdogan thirrje ndërkombëtarëve nga Tirana: Netanyahu vijon sulmet barbare në Gaza! Të kemi një qëndrim të përbashkët

10/10/2024 22:10

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të ndërhyjnë në situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme gjatë fjalës së tij në inaugurimin e xhamisë së Namazgjasë në Tiranë.

Ai theksoi se Netanyahu nuk ka ndërmend të vendosë paqen në rajon dhe po vijon sulmet barbare ndaj qytetarëve të pafajshëm të Gazës.

“Ndaj myslimanëve duhet të kemi përgjegjësi dhe ndërgjegje”, u shpreh Erdogan, ndërsa shtoi se shtetet duhet të kenë një qëndrim të përbashkët.

“Ne nuk duhet të shkëputemi për asnjë moment nga feja islame, nga feja e paqes dhe nuk duhet tua lëmë bosh sheshin, fushën të gjithë atyre grupeve apo qarqeve të cilët ushqejnë interesat e tyre për qëllimet e veta personale.

Pra, kjo është detyra e çdo myslimani që ka vetëdije dhe ndërgjegje. Xhamia e Namazgjasë është xhamia e vëllezërve tanë myslimanë, me zemër dhe ndërgjegje të pastër.

Turqia do të vazhdojë tu qëndrojë pranë të gjithë atyre që kanë nevojë dhe njëkohësisht nga këtu u përcjell të gjitha përshëndetjet për të gjithë vëllezërit të cilët sot janë këtu prezent.

Të dashura motra dhe vëllezërit e mi shqiptarë. Siç e dini dhe ju, ka kaluar një vit nga fillimi i gjenocidit i cili është startuar nga Izraeli në Gaza dhe në territoret e saj të pushtuara, në tokat palestineze.

Janë 50 mijë vëllezër tanë të pafajshëm palestinezë të cilët kanë rënë martirë, shehidë, janë vrarë në sulmet e Izraelit si dhe mbi 100 mijë janë plagosur. Janë bombarduar xhami, kisha, shkolla, universitetet dhe vendet e pazarit të tregut apo të punës ku ata ushqeheshin. Qeveria izraelite vazhdon sulmet e saj barbare ndaj fëmijëve, grave, minorenëve si dhe të moshuarve në Palestinë dhe tani Izraeli e ka çuar politikën e tij sulmuese, barbare, agresive në drejtim të Libanit.

Është një detyrim i moralit, i ndërgjegjes tonë njerëzore për të gjithë ata që ndjejnë, kanë zemra, të qëndrojnë kundra terrorizimit shtetëror për të cilën aplikohet nga Izraeli në Palestinë.

Qeveria e Izraelit dhe e Netanyahu ka treguar serish se nuk ka ndërmend të vendosë paqen atje në rajon dhe së fundmi e tregoi qartë duke e sulmuar dhe shtetin e Libanit.

Të dashur vëllezër dhe motra shqiptarë dhe një herë dua t’i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar nga ky vend i shenjë, nga këtu edhe një herë ndaj myslimanëve duhet të kemi përgjegjësi dhe ndërgjegje dhe ne nga ana tjetër duhet të mbajmë një qëndrim të përbashkët.

I ndodhur brenda këtyre mendimeve dhe ndjenjave i lutem Allahut Xheleshanuhu të gjitha adhurimet, duatë, që do bëhen në këtë xhami të pranohen tek i madhi Zot. Shpresoj që xhamia jonë e Namazgjasë të jetë e hairit, të sjellë dobi për myslimanët shqiptarë, për myslimanët e mbarë Ballkanit. Ju përshëndes dhe ju falënderoj përzemërsisht, me ndjenjat e mia më të përzemërta, më të thella, me respekt, me konsideratë dhe me dashuri”, tha Erdogan.

Presidenti turk, Erdogan zhvilloi një vizitë në Tiranë këtë të enjte, ndërsa shoqërohej nga kabineti dhe bashkëshortja e tij Emine.

Ai fillimisht u takua me presidentin Bajram Begaj, më pas me kryeministrin Edi Rama, ku patën një deklaratë të përbashkët.

Takimi u përmbyll me çeljen e xhamisë së Namazgjasë, ndërsa të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, bashkëshortja e tij Linda dhe qindra besimtarë myslimanë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA